Vetura nga Kosova me flamujt kuq e zi dhe mbishkrimin  “UÇK” janë nisur në drejtim të Shqipërisë.

Sot qytetarë nga gjitha trojet shqiptare do të bëhen bashkë në sheshin “Skenderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Nga Shqipëria do të jehojnë thirrjet e shqiptarëve “Drejtësi për çlirimtarët”.

Reklamë

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një konferencë për media më 14 tetor, tha se në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai theksoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.

Këtë e konfirmoi sot edhe Shkelqim Hajdari, koordinator i protestës në Tiranë.

Ai u shpreh se protesta do të hapet nga Hysni Gucati, për të vazhduar me Ali Ahmetin.

“Nuk do ketë shumë folës, nuk do ketë politikanë. Protesta do të hapet nga kryetari i Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati dhe do të mbyllet, jo si politikan, por si ish-udhëheqës i luftës si në Kosovë, si në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti”.

“Sigurisht do të flas ish-presidenti, Alfred Moisiu dhe përfaqësues të dëshmorëve të Shqipërisë që kanë rënë në luftën që është bërë në Kosovë dhe Maqedoni”, u shpreh tutje ai në “Edicionin Special” në Klan Kosova.

Reklamë

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka deklaruar gjithashtu se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka njoftuar sot se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në tubim. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.

Reklamë

Kryeministri Albin Kurti përdori faqen zyrtare të partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, për të dhënë një qëndrim për protestën, ku një sulm rezervoi edhe për kryeministrin Edi Rama.

Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale.