×
  • Lajme
  • Lajme

    Ministri Tahiri: Në Siri kanë mbetur edhe 87 kosovarë

    Reporteri
    20 Prill 2019 | 10:53

    Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një konference për shtyp ka njoftuar se 110 qytetarë të Kosovës me ndihmën e SHBA-së janë kthyer sot nga Siria në Kosovë.


    Në vazhdim ai ka treguar se që nga tetori i vitit të kaluar e ka udhëhequr task-forcën e angazhuar rreth kthimit të qytetarëve të Kosovës nga Siria e që ishte përkrahur vazhdimisht nga SHBA-ja.

    “Vendimin për kthimin e tyre në Kosovë është marrë në bashkëpunim me institucionet e vendit. Rastet e tyre do të vazhdojnë të trajtohen konform ligjeve në fuqi. Në rastin konkret kemi të bëjmë me gra dhe fëmijë shtetas të Kosovës”, tha Tahiri.

    “Fëmijët kanë kaluar një periudhë të rëndë traumatike. Do të angazhohemi që këta qytetarë të integrohen në shoqërinë tonë”.

    “Ky aksion dërgon mesazh të qartë se shteti jonë nuk i braktis qytetarët e vet dhe nuk përkrahim programe të tilla të terrorizmit”, ka thënë ndër të tjera ministri Tahiri.

    Në vazhdim ka folur edhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

    “Policia e Kosovës duke u bazuar në mandatin e vet ka qenë pjesë koordinuese e këtij operacioni. Katër luftëtarë, 32 gra e 74 fëmijë, dy nga të cilët kanë humbur prindërit atje, janë kthyer në Kosovë. Ne mbetemi të përkushtuar që t’iu ofrojmë siguri këtyre të kthyerve nga Siria”, ka thënë Qalaj.

    Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka njoftuar për masat shëndetësore që do të ndërmerren për mos përhapjen e ndonjë sëmundjeje pas kthimit të shtetasve të Kosovës nga Siria. Ai ka thënë se pas 72 orësh, qytetarët e kthyer do t’i marrin vaksinat për mbrojtje.

    Në fund të konferencës, Tahiri ka treguar edhe për rolin e SHBA-së në kthimin e shtetasve tanë në Kosovë.

    “Nuk mund të japim detaje, por pa angazhimin e SHBA-së nuk do të kryhej ky operacion”, ka thënë Tahiri.

    Ai, në fund, ka theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për socializmin e të kthyerve.

    Në Siri, siç u tha në këtë konferencë, po qëndrojnë ende 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë. /ktv/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!