×
  • Lajme
  • Ekonomi

    Ministria e Infrastrukturës e mbajti 10 ditë të fshehur skandalin e 2 milionëshit, dëshmojnë dokumentet

    Reporteri
    27 Tetor 2020 | 8:03

    Një ditë pas vjedhjes dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit, Zyrtari Kryesor i Financave të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka njoftuar krerët e saj për rrjedhën e ngjarjes. Tek nëntë ditë më pas ai i ka lutur zyrtarët e MI që t’i bllokojnë user-ët prej nga janë transferuar paratë. I pari i Ministrisë dhe Sekretari i saj s’e kanë komentuar rastin.


    2 milionë e 77 mijë euro në mënyrë ilegale ishin transferuar më 9 tetor, nga Thesari Shtetit në llogarinë e kompanisë private “LDA Group” SH.P.K, pronë e Valon dhe Kadri Shalës.

    Nga Thesari tek kompania ishin kryer katër transaksione: 622 mijë euro; 375 mijë euro; 330 mijë euro; 750 mijë euro.

    Bazuar në dosjet e Prokurorisë së Shtetit, që i ka publikuar Gazeta Insajderi ekzekutimi i pagesave ilegale nga Thesari i Shtetit në llogarinë e “LDA Group” Sh.P.K përfundoi brenda tetë minutave.

    Përmes procesimit të katër transaksioneve, në orën 12:41 të së premtes së 9 tetorit, dy milionë euro u derdhën në xhirollogarinë e kompanisë me bazë në fshatin Llapushnik të Drenasit.

    Vetëm një ditë më pas, më 10 tetor, Zyrtari Kryesor i Financave, e kishte njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës për katër transaksionet e bëra.

    Ai përmes e-mail-it zyrtar, i ka informuar në detaje zyrtarët tjerë të minsitrisë, për rrjedhën e skandalit 2 milionësh.

    I njëjti, ka treguar se “LDA Group” SH.P.K., nuk është klient i Ministrisë së Insfrastruturës, dhe ka zbardhur faktin se nga cilët user janë kryer transkasionet e mijëra eurove.

    “1. Kompania: LDA Group SHPK – nuk është klient i MI-së; 2. Kërkesa për regjistrim në Furnitorit është bërë me datë 09/10/2020 nga Hasan Krasniqi – të cilin në MI nuk e njohim, dhe nuk është pjesë e jona: 3. Zotimet janë përdorur ato të më hershmet të cilët kanë qenë të regjistruar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK); 4. Urdhërblerja është nxjerr me datë 09/10/2020/ nga Useri AAlijaji – i cili User nuk është pjese e MI dhe nuk e njohim; 5. Pranimi i mallit është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri me emrin HASANK1 – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 6. Shpenzimi është bërë me datë 09/10/2020 nga Useri BSelmani – i cili User nuk është pjesë e MI-së dhe nuk e njohim; 7. Certifikimi është me datë 09/10/2020 ora 12:41 nga Useri FazliuF – i cili User është pjesë e Kërkesës sonë të datës 28.01.2020 është aktiv, por që nga muaji mars nuk e ushtron këtë detyrë sepse është transferuar në NJRPSH-Mitrovicë”, thuhet në e-mail-in e Zyrtarit Kryesor të Financave të bërë më 10 tetor, vetëm një ditë pas avullimit të 2 milionë eurove.

    Në fund të njoftimit që ua çon zyrtarëve të Ministrisë, i njëjti i pyet nëse duhet të pres përgjigjen nga ata, apo lëndën ta dërgojë tek organet e rendit?

    Nëntë ditë më pas, më 19 nëntor, Zyrtari Kryesor i Financave, ka kërkuar që të bllokohen Userat prej nga janë kryer transaksionet e datës 9 tetor.

    “Ju lutem me urgjenc bllokoni userat BSelmani dhe FazliuF, poashtu së bashku të fillojmë për hulumtimin e këtij rasti për ta sqaruar më tutje”, thuhet në e-mailin e datës 19 tetor, të cilin e ka sigurar Gazeta Insajderi.

    Insajderi e ka pyetur ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashin dhe sekretarin e ministrisë, Izedin Bytyqi, pse këta user-a nuk janë mbyllur me kohë, por pas nëntë ditësh dhe për atë se a janë të sigurt se nga të njëjtët nuk janë kryer edhe transaksione të tjera, por që të dy nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për gazetën.

    Një ditë më pas, më 20 tetor, Njësiti i Krimeve Ekonomike, e ka arrestuar Labinot Grudën të dyshuarin kryesor të vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. Të njëjtit i janë caktuar 30 ditë paraburgim.

    Kadri Shala, njëri nga pronarët e “LDA Group” SH.P.K, tek e cika kanë shkuar katër transaksionet kryesore, e që më pas janë shpërndarë tek 17 xhirollogari, është dorëzuar sot në Polici. Të njëjtit i është caktur masa e ndalit prej 48 orësh. Bashkëpronari tjetër, Valoni, vazhdon të mbetët në arrati.

    Skemën e këtij skandali në njërin nga institucionet që besohej që të ishte i sigurt, Insajderi e ka ekspozuar përmes një serie hulumtimesh.

    Pas këtyre hulumtimeve, nëpërmes një letre në publik është paraqitur edhe vet emri kryesor i përmendur në këtë aferë, biznesmeni Kadri Shala. Derisa ndodhej në arrati e jashtë Kosovës, javën që shkoi ai kishte shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express dhe T7, përmes vëllait të tij.

    “Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala I cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruden.

    Informacionet e siguruara çojnë në atë drejtim se ka pasur një plan që Shala-Gruda të rregullojë dokumentet për të jetuar në Turqi, pas kryerjës së aktit kriminal të vjedhjës së mbi 2 milionë eurove.

    Skema dyshohet që nisi të përgatitej që në marsin e këtij viti, prej kur ka edhe fakte që njihen mes vete biznesmeni Kadri Shala si dhe i arrestuari, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda.

    Provat që i kanë mbledhur organet e rendit hedhin dyshime të forta për arratisjen e planifikuar të dy protagonistëve të vjedhjes 2 milionëshe. Pas vjedhjes në drejtim të Turqisë ka ikur vetëm Kadri Shala, ndërsa Labinot Gruda është arrestuar.

    Detajet e planit të arratisjes

    Realizimi i planit kishte startuar në mars të vitit 2020. Në këtë datë në adresën zyrtare të kompanisë turke, “MK Mobilya Luxury”, një bashkëpunëtor i Kadri Shalës, e me kërkesë të këtij të fundit ka dërguar një e-mail. Në këtë e-mail janë bashkangjitur shtatë pasaporta të shtetasve kosovarë.

    “Të nderuar. Të bashkangjitur e të skanuar i gjeni kopjet e pasaportave (versioni PDF), ashtu siç kërkuat nga z. KADRI Shala. Me respekt, L.I”, thuhet në mesazhin që është dërguar tek kompania “MK Mobilya Luxury” më 9 mars 2020 në ora 10:22 e ku i informuar është mbajtur edhe Shala në e-mailin zyrtar të firmës LDA-Group.

    Në këtë komunikim me këtë kompani turke, pasaporta e tretë me radhë e bashkangjitur është ajo e Labinot Grudës. Pos pasaportës së Grudës, kësaj kompanie turke me kërkesën, dhe mbajtjen të informuar të vetë biznesmenit Kadri Shala, janë dërguar edhe pasaportat e shtetasve të tjerë kosovarë, L.B, i lindur në vitin 1999, A.K i lindur në vitin 1990, D.Sh. i lindur në vitin 1992, E.Sh. i lindur në vitin 2002, P.K., i lindur në vitin 1981 dhe A.G, i lindur në vitin 1996, familjar i Labinot Grudës.

    Që nga janari i këtij viti, po ashtu Kadri Shala, sipas burimeve të Insajderit, ka mbajtur kontakte të shpeshta dhe ka pranuar materiale, kryesisht skema vend-punishtesh e makinerish në sektorin e prodhimit e përpunimit të betonit me firmën tjetër turke, “Vekoç Makina Insaat”.

    Kujtojmë se mbrëmë ministrja Bajrami tha se përgjegjësi për vjedhjen e 2 milionëshit ka edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!