Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 62 vota për rishikimin e buxhetit për vitin 2026. Projektligji përfshinte shtatë amendamente, prej të cilave u miratuan vetëm dy, ndërsa amendamentet e propozuara nga opozita nuk morën mbështetjen e deputetëve.

Miratimi i rishikimit të buxhetit u shoqërua me debat mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, veçanërisht lidhur me shpenzimet për pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe pagesat retroaktive për përvojën e punës.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e ka cilësuar propozimin e Qeverisë si një përpjekje për të mbuluar shpenzimet prej rreth 120 milionë eurosh, për të cilat, sipas tij, ishte marrë vendim në fillim të vitit.

Reklamë

Ai ka pretenduar se projektligji ka probleme si në aspektin procedural, ashtu edhe në atë përmbajtësor.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar që Ministria e Financave të sqarojë nëse ndryshimet e propozuara synojnë mbulimin e mjeteve për pagën e 13-të, e cila ishte ndarë në fillim të këtij viti.

Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ndryshimet e propozuara, duke i cilësuar ato si dinakëri të ministrit Murati.

Të gjitha këto pretendime i ka kundërshtuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar. Kjo që po ndodh është mbulimi i hendekut nga alokimi i parakohshëm, ashtu siç e ka paraparë Ligji i Buxhetit. E paga e 13-të për vitin e ardhshëm paguhet në fillim të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Murati.

Reklamë

Ai ka thënë se ndryshimet ndikojnë edhe në çështjen e pagesës retroaktive të përvojës së punës.

Pas deklaratave të ministrit, debati mes tij dhe deputetëve opozitarë ka vazhduar.

Hoti e ka akuzuar Muratin për keqpërdorim, duke iu drejtuar me fjalët: “Je abuzuesi më i madh që ka pasur ndonjëherë Qeveria e Kosovës”. Ai e ka quajtur ministrin edhe gënjeshtar.

Hoti dhe deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kanë kritikuar gjithashtu Qeverinë për kërkesën që kompanitë publike të ndajnë dividendë.

Reklamë

Ndërkaq, Bajrami e ka cilësuar përgjigjen e Muratit si “keqplanifikim të planifikuar”, ndërsa Haxhiu e ka quajtur atë “mashtrues”.

Në shtator, Qeveria e Kosovës kishte miratuar ndryshimet që parashihnin rialokimin e 102 milionë eurove për pagesën e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe për mbulimin e pagesave retroaktive të diferencës së shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vitin e kaluar, Qeveria kishte ndarë pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.

Shtesa prej 0.5 për qind është pagesa shtesë që u bëhet punonjësve të sektorit publik për çdo vit përvojë pune. Për shembull, një punëtor me dhjetë vjet përvojë pune përfitonte shtesë prej pesë për qind mbi pagën bazë.

Reklamë

Megjithatë, me Ligjin për Pagat, të miratuar më 2022, kjo skemë ndryshoi. Për 15 vjetët e parë të përvojës së punës, shtesa u përgjysmua në 0.25 për qind për vit, ndërsa norma prej 0.5 për qind zbatohej pas vitit të 15-të. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur këtë ndryshim antikushtetues.

Pas këtij vendimi, qytetarë të shumtë kanë paraqitur padi duke kërkuar kompensimin retroaktiv të shtesës për përvojën e punës.

Nuk miratohet amendamenti për protezat e invalidëve të luftës

Një nga amendamentet që nxiti debat gjatë shqyrtimit të buxhetit ishte propozimi për ndarjen e një milion eurove për mbulimin e protezave për invalidët e luftës.

Reklamë

Megjithatë, deputetët nuk e mbështetën propozimin e Komisionit për Mirëqenie Sociale për ndarjen e këtyre mjeteve.