Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka nisur sot mbledhjen e jashtëzakonshme lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Mbledhja po mbahet me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave. Në të pritet të shqyrtohet raporti lidhur me veprimet e Prokurorisë Themelore në Pejë në trajtimin e këtij rasti.

Para fillimit të mbledhjes, kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se ka iniciuar procedurë disiplinore dhe ka rekomanduar suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri.

Reklamë

Procedura disiplinore vjen pas zhvillimeve lidhur me rastin e vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ngjarje që ka nxitur reagime të shumta publike dhe kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive institucionale.

Sipas të dhënave të bëra publike, procedurat lidhen me gjetjet e evidentuara nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit për veprimet dhe mosveprimet e dyshuara gjatë trajtimit të raportimeve dhe kërkesave të viktimës për mbrojtje.

Rekomandimi për suspendimin e dy prokuroreve pritet të shqyrtohet nga mekanizmat kompetentë, ndërsa mbledhja e sotme e KPK-së pritet të hedhë më shumë dritë mbi gjetjet lidhur me trajtimin e rastit nga Prokuroria e Pejës.
Përveç veprimeve në sistemin prokurorial, edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprime hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia e Kosovës i ka trajtuar raportimet e Arlinda Zekajt.

IPK-ja ka konfirmuar  me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, do të shqyrtojë komunikimin e zyrtarëve policorë me viktimën, kohën e reagimit dhe veprimet apo mosveprimet eventuale gjatë trajtimit të rasteve të raportuara.

Hetimet synojnë të përcaktojnë nëse zyrtarët policorë kanë vepruar në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe të identifikojnë përgjegjësitë eventuale individuale dhe institucionale.

Reklamë

Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur debat të gjerë publik për reagimin e institucioneve dhe trajtimin e kërkesave për mbrojtje, ndërsa hetimet dhe procedurat disiplinore pritet të sqarojnë përgjegjësitë eventuale të zyrtarëve të përfshirë.