Molliqaj paralajmëron Konjufcën: Më 12 prill prezantoj faktet që ishe SHIK

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj, paralajmëroi se faktet që Glauk Konjufca ka qenë pjesë e SHIK-ut do t’i prezantojë gjatë seancës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Këtë deklaratë, Molliqaj e bëri në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, duke thënë se ajo çfarë ka deklaruar më parë qëndron 100%, përcjell Kosovapress.

Ai shtoi se Konjufca mund ta mbyllte këtë çështje duke e pranuar këtë fakt dhe jo të fshihej ose të shkonte në gjykatë.

Molliqaj tha se seanca e Kuvendit të Kosovës ku është paraparë të flitej jashtë rendit të ditës do të mbahet më 12 prill, ditë që ai premton se do të shfaqë faktet për Konjufcën.

Molliqaj ka mbrojtur edhe vendimin e Shpend Ahmetit për të angazhuar këshilltarë për dialogun, duke thënë i duhet të marrë këshilltarë që janë njohës të fushave.