Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe Shoqatën e Gurthyesve të Kosovës, kanë ngritur alarmin mbi sfidat serioze me të cilat po përballet sektori i ndërtimit dhe ai i gurthyesve. Gjatë një takimi të përbashkët, u theksua se mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me zhavorr dhe barrierat administrative po dëmtojnë rëndë ekonominë vendase, duke rritur kostot dhe duke nxitur importet nga Serbia.

Përfaqësuesit e sektorit privat theksuan se nuk po kërkojnë privilegje, por liri veprimi dhe siguri juridike përmes një partneriteti të sinqertë me institucionet. “Bizneset nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë trajtim të barabartë, institucione funksionale dhe partneritet në ndërtimin e zgjidhjeve që fuqizojnë ekonominë e Kosovës,” u theksua në komunikatën e përbashkët të dalë nga ky takim.

Barrierat kryesore dhe rritja e importeve

Reklamë

Sipas analizës së përbashkët, industria po përballet me vonesa të gjata në licencim, burokraci të tejskajshme dhe mungesë të harmonizimit ndërmjet Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe dikastereve qeveritare. Këto bllokada kanë sjellë efekte negative zinxhir.

“Mungesa e furnizimit të qëndrueshëm me zhavorr po ndikon drejtpërdrejt në industrinë e betonit, realizimin e projekteve ndërtimore, rritjen e kostove dhe klimën e investimeve, duke rritur ndjeshëm edhe importet nga Serbia dhe tregjet e tjera,” thuhet në njoftim.

Rekomandimet dhe kërkesat drejtuar Qeverisë

Për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të prodhuesve vendorë dhe rrezikimin e vendeve të punës, tre shoqatat i kanë dërguar institucioneve një paketë kërkesash konkrete:

Përfundimi me prioritet i procedurave të licencimit dhe rinovimit të lejeve; Krijimi i një mekanizmi të përhershëm kordinues ndërinstitucional; Zhbllokimi i shfrytëzimit të sipërfaqeve minerare dhe pyjore për të siguruar stabilitet juridik; dhe Luftimi i ekonomisë informale dhe garantimi i një konkurrence të drejtë në treg.

Reklamë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës bëri të ditur se do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve vendase, duke kërkuar nga qeverimarrësit veprime të menjëhershme për të mos lejuar paralizimin e një prej sektorëve më strategjikë të vendit.