Mungon vula e fundit që mbyllë Lojërat e Fatit

Bastoret dhe lojërat tjera të fatit po vazhdojnë të funksionojnë rregullisht në territorin e Kosovës, ani pse ligji për ndalimin e tyre hyri në fuqi në mënyrë të heshtur nga presidenti.


Institucioni përgjegjës për ndalimin dhe mbylljen e tyre, Administrata Tatimore e Kosovës nuk po mund të veprojë në përputhje me udhëzimet e Qeverisë.

Në një përgjigje me shkrim nga ATK-ja për lajmi.net është bërë e ditur se ky institucion nuk ka marrë ende dokument zyrtar nga Qeveria e Kosovës, për mënyrën dhe funksionimin në ndalimin e lojërave të fatit.

Ata lënë të kuptohet se ky proces po stopohet për shkak se ligji nuk është publikuar ende në gazetën zyrtare.

“Ende nuk kemi marrë vendim nga Qeveria, pasi që Ligji i Lojërave të Fatit ende nuk është publikuar në gazetën zyrtare”, thuhet në përgjigjen lajmi.net.

E përderisa ATK-ja nuk merr urdhër nga Qeveria e Kosovës, lojërat e fatit në vend mund të funksionojnë lirshëm.

Lajmi.net për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Fehmi Stublla, koordinator në GZK ka thënë për lajmi.net se Ligji është në proces të publikimit në gazetën zyrtare.

Ai ka thënë se janë disa procedura deri në publikimin e tij, ku përfshihet edhe përkthimi në gjuhët që janë zyrtare në Republikën e Kosovës.

“Publikimi i Ligjit është në proces. Janë edhe disa procedura ku përfshihet edhe përkthimi i ligjit në gjuhët zyrtare. Po shpresojmë që sot të arrijmë ta përfundojmë dhe ta publikojmë në gazetën zyrtare”, ka thënë Stublla për lajmi.net.

Kuvendi i Kosovës me shumicë absolute të votave kishte vendosur për mbylljen e lojërave të fatit.

Shkas për këtë vendim ishin marrë dy vrasje që ndodhën në kazino në Kosovë.

I njëjti ligj më pas ishte dërguar te presidenti, i cili nuk e dekretoi atë dhe rrjedhimisht ai hyri në fuqi në mënyrë të heshtur.