Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla sot nuk morën votat e mjaftueshme për kryeparlamentare. Në seancën e sotme për herë të parë që nga 15 prilli, VV-ja propozoi një emër të ri, atë të Donika Gërvallës. Pasi edhe Gërvalla s’mori votat e mjaftueshme, seanca u shty për të premten.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se u vërtetua sot se në Kosovë janë dy blloqe – njëri me 57 vota që ka dalë nga votat e popullit dhe blloku tjetër, LDK, PDK, AAK, Lista Serbe dhe disa deputetë në mes, që e duan të bllokuar Kuvendin.
Murati tha se fakti që e sollën një emër të ri si propozim dhe nuk mori votat e mjaftueshme, dëshmon për taktikat bllokuese të partive ish opozitare ndaj institucionit të Kuvendit.
“Tashmë çdo gjë është kristal e qartë. Ajo çfarë e kemi thënë në fillim u vërtetua sot në mënyrën më të mirë. Megjithëse ne pritëm që të reflektojë opozita, e pamë që sot në Kosovë jemi dy blloqe: 57 vota që kanë dalë nga vullneti i popullit, Lëvizja Vetëvendosje, GUXO, Alternativa dhe partitë tjera partnere dhe blloku tjetër: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe me 56 deputetë, si dhe disa deputetë ndërmjet, që janë të interesuar ta mbajnë të bllokuar Kuvendin, me veprime të tilla tentojnë nën tavolinë ta vjedhin vullnetin e popullit.
Ne propozuam Haxhiun, thanë duhet ta ndërroni. Dhe deri më sot disa mund të kenë besuar që opozita e ka të sinqertë që nëse ndërrohet kandidati, mund të votohet Haxhiu. Por kur propozuam Gërvallën, ndodhi e njëjta gjë. Kjo është dëshmia më e mirë që kemi të bëjmë me taktika bllokuese ndaj institucionit të Kuvendit. Synimi i tyre është që ta kthejnë një qeverisje të vitit 2019, kur ka qenë edhe Lista Serbe. E shihni që koalicioni i tyre funksionon në mënyrë perfekte. Por populli i njeh dhe nuk ua ka dhënë votat”, tha Murati. /Reporteri.net/