×
  • Lajme
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT

    NATO: Mbështesim dialogun e BE-së, Kosova dhe Serbia të angazhohen drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme politike

    Reporteri
    11 Korrik 2023 | 18:35

    Liderët e shteteve dhe krerët e qeverive të vendeve anëtare të NATO-s kanë mbajtur Samitin në Vilnius të Lituanisë.

    Në komunikatën e përbashkët për media kanë përmendur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu edhe situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

    Në komunikatë thuhet se NATO mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe specifikojnë se përkrahin gjithashtu edhe përpjekjet e tjera që kanë për synim normalizimin e raporteve në mes të dy vendeve.

    “Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që menjëherë të de-përshkallëzojnë, t’i kthehen dialogut dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të arritur së fundmi në Bruksel dhe Ohër”, thuhet në komunikatë.

    Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, ka folur edhe mbi tensionet e krijuara prej disa muajsh në veri të Kosovës.

    Rama është shprehu se në veri janë formuar grupe ekstreme që paraqesin rrezikshmëri.

    Më tej, gjatë bashkëbisedimit me Eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, Rama deklaroi se mund të ketë vatër zjarri dhe kërcënim për hapjen e një konflikti.

    “Jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill, që foli për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor sot, në lidhje me sigurinë, ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi, të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq e vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme. Dhe çfarë po ndodh, diçka që është vërtetë shumë e rrezikshme me veriun e Kosovës, që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës”, theksoi ai.

    Rama: E rrezikshme çfarë po ndodh në veri të Kosovës, mund të bëhet vatër zjarri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!