Kryeministri Edi Rama ka folur sot ndër të tjera në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, edhe mbi tensionet e krijuara prej disa muajsh në veri të Kosovës.
Rama është shprehu se në veri janë formuar grupe ekstreme që paraqesin rrezikshmëri.
Më tej, gjatë bashkëbisedimit me Eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, Rama deklaroi se mund të ketë vatër zjarri dhe kërcënim për hapjen e një konflikti.
“Jam shumë i rehatuar nga fjala e presidentit Biden sot në Këshill, që foli për këto tema. Problemi i Ballkanit Perëndimor sot, në lidhje me sigurinë, ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi, të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq e vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme. Dhe çfarë po ndodh, diçka që është vërtetë shumë e rrezikshme me veriun e Kosovës, që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës”, theksoi ai.
Sot gjatë ditës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para nisjes së samitit dyditor Vilnius tha se duhen veprime konkrete për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje të dyja palëve që të deeskalojnë dhe të mos ndërmarrin veprime që do të çonin në përkeqësim të situatës”, tha Stoltenberg.
Stoltenberg përsëriti se NATO është në Kosovë për të garantuar siguri dhe stabilitet në rajon.
Stoltenberg thirrje për de-eskalim në veri: Palët të mos ndërmarrin veprime që përkeqësojnë situatën