×
  • Lajme
  • Lajme

    Ngjarjet tragjike të së hënës, këto janë reagimet e politikës

    Reporteri
    22 Prill 2019 | 23:20

    Ngjarjet tragjike që ndodhën të hënën kanë ngjallur reagimet e skenës politike vendore, shkruan Reporteri.net.


    Kryeparlamentari, Kadri Veseli, është shprehur i trishtuar për shembjen e një pjese të ish-hotelit Adriatik në Mitrovicë, ndërsa ka kërkuar nga organet përgjegjëse të bëjnë të pamundurën për të shpëtuar jetën e qytetarit që ka mbetur në ndërtesë.

    “I trishtueshëm lajmi për shembjen e hotel Adriatikut në Mitrovicë. Kërkoj nga organet përgjegjëse të bëjnë të pamundurën për të shpëtuar jetën e qytetarit që ka mbetur në ndërtesë. Inspektoratet përkatëse që kanë për obligim të mbikëqyrin sigurinë e ndërtesave duhet të japin përgjegjësi kur jeta e qytetarëve vihet në rrezik”, ka shkruar Veseli në Facebook.

    Veseli nuk është marrë me rastin tragjik që ndodhi në lagjen Dardania, kur një 61 vjeçar vrau fillimisht gruan, më pas renë e në fund edhe veten.

    Por me këtë rast është marrë kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Në një komunikatë për media, Mustafa është shprehur i tronditur nga lajmi për vrasjen e trefishtë që ka ndodhur sot në lagjen Dardania në Prishtinë.

    “Ngushëllime të gjithë familjarëve dhe miqve për vdekjen e tre anëtarëve të familjes”, është shprehur Mustafa.

    “Po ashtu, më ka tronditur lajmi për shembjen e një pjese të Hotel Adriatikut, një ndër objektet më të vjetra në qytetin e Mitrovicës, me ç’rast një djalë i ri ka mbetur nën gërmadha. Nga informatat që kemi nga Mitrovica, po bëhet një angazhim i madh i të gjithë qytetarëve që ai të gjendet sa më parë. Lutemi që organet të bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar jetën e tij. Me këtë rast bashkëndjejmë me gjithë familjarët dhe miqtë e tij.
    Po ashtu, kërkojmë përgjegjësi dhe vigjilencë nga organet e rendit për vrasjet e shpeshtuara dhe nga mbikëqyrësit dhe inspektoratet e ndërtimit për të garantuar sigurinë e ndërtesave. Rastet e tilla na rëndojnë si shoqëri dhe lutemi që të mos përsëriten më”, ka thënë në fund të telegramit të tij Mustafa.

    E ish-kryeministri Mustafa, nuk ka përmendur shembjen e një pjese të objektit në Fushë Kosovë, ku megjithatë nuk pati të lënduar, pos dëme materiale.

    E kryemisnitri aktual, Ramush Haradinaj, bashkë me shembjen në Mitrovicë ka shkruar edhe për këtë në Fushë Kosovë.

    “I shqetësuar me rastet e sotme të shembjes së ndërtesave në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë, të cilat kanë rrezikuar drejtpërdrejt jetën e punëtorëve dhe qytetarëve përreth. Këto dy raste, me të drejtë nxisin reagimet e gjithsecilit për mënyrën dhe kushtet e punës në industrinë e ndërtimit dhe më shumë për përgjegjësinë e Komunave në dhënien e lejeve dhe Inspektoratit në kontrollimin e punimeve”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka thënë se të gjithë mekanizmat e përfshirë në këtë sektor duhet të ndërmarrin masa emergjente në përmirësimin e kushteve dhe mënyrën e punës.

    “Në këto momente autoritetet po punojnë me të gjitha kapacitetet në gjetjen e punëtorit të ngujuar nga gërmadhat e shembjes së objektit në Mitrovicë dhe ky aksion nuk do të kalojë pa ndërmarrjen e masave konkrete që ngjarja e sotme të mos përsëritet”, ka shtuar ai më pas.

    E Haradinaj, si Veseli, nuk ka thënë asnjë fjalë për vrasjen e trefishtë në Dardani. Të paktën jo në Facebook, ku është bërë modë që të shprehen liderët vendorë. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!