Kandidatja për presidente e LDK-së, Vjosa Osmani, është parë mesditën e sotme duke hyrë në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Osmani ka folur shkurtimisht për T7, duke thënë se ka gjasa që të deklarohet më vonë.

“Ndoshta pak më vonë”, ka thënë Osmani.

Reklamë

Siç u raportua në media, delegatët e LDK-së, të cilët janë të pakënaqur me udhëheqjen aktuale të partisë, sot do t`i dorëzojnë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të kërkohet shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.

Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, janë shoqëruar me replika mes figurave drejtuese të partisë.

Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë, dega në Rahovec, kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë në nivel qendror.

Ata kanë kërkuar që përgjegjësia për rezultatin zgjedhor të bartet nga udhëheqja e partisë.

Reklamë

/Reporteri.net/