Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit S. K., i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

I pandehuri S.K. dyshohet që me datë 17.11.2026, rreth orës 14:00, në rrugën “Martirët e Gjilanit” në Gjilan, i ka sulmuar personat zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, të dëmtuarit Zh. S. dhe R. J. – shpërndarës në Gjykatën Themelore në Gjilan, në atë mënyrë që, derisa të dëmtuarit janë ndalur në lagjen e “Zabelit” me qëllim të gjetjes së një adrese dhe personit me emër L. K. dhe nga vetura i dëmtuari e ka pyetur të pandehurin nëse e njeh personin L. K..

“Në atë moment, i pandehuri afrohet te dera e veturës dhe fillon ta godasë me grushte, duke e kapur për bluze dhe duke e goditur me dorën tjetër, nga vetura del i dëmtuari R. i cili tenton ta ndalojë, por e godet edhe të dëmtuarin R. me grusht në kokë dhe largohet, ku i dëmtuari Zh. ka pësuar lëndime të lehta trupore, për shkak të të cilave ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan – Emergjencë”, thotë Gjykata.

Reklamë

Më këto veprime, Gjykata thotë se i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.