Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka përfunduar procesin e hedhjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas shortit të hedhur ku morën pjesë përfaqësuesit e subjekteve politike, Lëvizja Vetëvendosje do të garoj me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me numrin 130, Lidhja Demokratike e Kosovës me numrin 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 129 dhe Nisma Socialdemokrate me numrin 122.
Menjëherë pas zyrtarizimit të këtyre numrave kanë ardhur edhe reagimet e para nga kryetarët e partive, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se do të angazhohen që të arrijnë një “fitore edhe më të madhe” në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
“Me numrin 116 bashkë me qytetarët angazhohemi për një fitore edhe më të madhe”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se 130 është numri i bashkimit për Kosovën, dhe se ky numër është i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Tutje ai thotë se numri 130 i PDK-së është numër i fitores.
“130 është numri i bashkimit për Kosovën. Është numri i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik. Është numri i drejtimit të sigurt dhe rrugës evropiane për vendin tonë. 130 është numri i fitores!”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ndërsa kreu i LDK-së, LumirAbdixhiku, ka dekalruar se 123 do të jetë numri i shpresës.
“Zgjedh shpresën! 123 është numri ynë!”, ka shkruar mes tjerash kryetari i LDK-së.
Ndërkaq reagimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ishte i thjeshtë. “129 krah teje” ka shkruar Haradinaj.
Sot, e diel, në orën 23:59, do të përfundojë afati për subjektet politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. /Reporteri.net/.