Nxënësit e disa shkollave të mesme në Prishtinë kanë braktisur sot mësimin për t’iu bashkuar protestës para Kuvendit të Kosovës, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këshillat e nxënësve në disa prej shkollave u kanë përcjellë maturantëve njoftim për pjesëmarrje në protestën e mbajtur para Kuvendit.
Në njoftimin e shpërndarë për nxënësit thuhet se maturantët do të mblidheshin në Sheshin Skënderbeu në orën 08:00, ndërsa pjesëmarrja ishte cilësuar si obligative.
“Në kuadër të protestës në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për mbrojtjen e vlerave të saj”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtin njoftim bëhet e ditur se nxënësit e klasave të tjera nuk do të mund të merrnin pjesë.
Po ashtu, në njoftim thuhet se prindërit do të informoheshin lidhur me pjesëmarrjen e nxënësve në protestë.
Protesta po mbahet para Kuvendit të Kosovës, në ditën kur deputetët kanë votuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

