Derisa po afron skadimi i afatit për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje ka mbledh grupin e saj parlamentar për të diskutuar lidhur me këtë çështje. Ndryshe nga dje që u lakua emri i Glauk Konjufcës, si kandidat për president nga VV-ja, ditën e sotme është ai i Andin Hotit që po përmendet.
Deputeti i VV-së, Ilir Kërçeli ka konfirmuar se grupi parlamentar i VV-së do të mblidhet për të diskutuar për presidentin në ora 13:00.
“Në ora 13:00 kemi mbledhje dhe kemi me diskutu [për çështjen e Presidentit]” – tha shkurt ai për Kallxo.
Lidhur me çështjen e presidentit, edhe Partia Demokratike e Kosovës do të mbledh grupin e saj parlamentar.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se GP i PDK-së do të mblidhet në ora 14:00 për presidentin.
Për këtë çështje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar disa takime javën e fundit me dy kryetarët e dy partive, LDK-së dhe PDK-së. Ky i fundit, pas takimit të dytë që pati me Kurtin tha se i kishte bërë ofertë Kryeministrit për një president të propozuar nga PDK-ja, por përë këtë Kurti tha se kandidati mund të vijë nga cilido subjekt politik dhe vota në Kuvend atëherë mund ta përcaktojë fituesin e kësaj gare.
Në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje të dielën, Kurti tha se zgjidhja e duhur do ishte Murat Jashari. Si opsion tjetër, ai tha që secila parti të propozojë nga një kandidat dhe gara të zhvillohet në Kuvend.
Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit kërkohen 80 vota nga 120 deputetë, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Një kandidat duhet të sigurojë fillimisht të paktën 30 nënshkrime për të hyrë në garë.
/Reporteri.net/