Ish-presidentja e Kosovës, tani deputete e LDK-së, Vjosa Osmani, ka mbrojtur figurën e Ibrahim Rugovës, duke e cilësuar atë si Atin themeltar të Republikës.

Ajo ka thënë se as vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Përmes një reagim në Facebook, ajo i ka quajtur shpifje disa prej pretendimeve që lidhen me figurën e Rugovës.

Reklamë

“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë.”, ka shkruar ajo.

Osmani ka thënë se gjatë pesë viteve të mandatit si presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave.

Postimi i saj i plotë:

RRETH PËRPJEKJEVE TË KOORDINUARA PËR TA DENIGRUAR ROLIN E PRESIDENTIT RUGOVA

Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë.

Reklamë

Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin.

Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij.

Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova.

Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar.

Reklamë

Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të shpifësve recidivistë, as e vërteta të zëvendësohet me shpifjet e tyre të njëpasnjëshme.

Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË!

Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë.

Reklamë