Një problem teknik gjatë modernizimit të sistemit të kontrollit të trafikut ajror në Shtetet e Bashkuara shkaktoi një ndërprerje të paprecedentë të fluturimeve në mbarë vendin, duke nxjerrë në pah dobësitë e infrastrukturës amerikane të aviacionit.
Sipas një analize të publikuar nga Financial Times, problemi nisi nga një pajisje e rrjetit të komunikimit, e njohur si router, gjatë punimeve për zëvendësimin e kabllove të vjetra të bakrit me fibra optike.
Ndërhyrja po realizohej nga kompania L3Harris, kontraktore e Administratës Federale të Aviacionit (FAA).
Ministri amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se pajisja nisi të mbingarkonte rrjetin, duke shkaktuar probleme në komunikimin mes kontrollorëve të trafikut ajror dhe avionëve, si dhe ndërprerje të përkohshme në të dhënat e radarëve.
Sipas tij, sistemi regjistroi mbi 1 mijë tentativa lidhjeje çdo katër deri në pesë sekonda, duke krijuar paqëndrueshmëri në rrjetin kombëtar.
Për arsye sigurie, FAA urdhëroi më 13 nëntor ndalimin e nisjes së fluturimeve në të gjithë territorin amerikan për më shumë se katër orë.
Mbi 3 mijë avionë që ndodheshin në ajër u ulën në mënyrë të sigurt, ndërsa mijëra fluturime u anuluan ose u vonuan.
Ndërprerja shkaktoi kaos në aeroportet amerikane, duke prekur udhëtimet e miliona pasagjerëve dhe duke krijuar vonesa që vazhduan edhe gjatë fundjavës.
Megjithatë, autoritetet amerikane ende nuk e kanë përcaktuar nëse problemi u shkaktua nga një defekt i pajisjes apo nga gabimet gjatë instalimit.
Sistemi amerikan përdor ende teknologji të viteve 1970
Sipas Financial Times, incidenti ka rikthyer vëmendjen te gjendja e vjetruar e sistemit amerikan të kontrollit të trafikut ajror.
Pavarësisht se SHBA-ja është një nga vendet më të avancuara teknologjikisht, një pjesë e infrastrukturës së saj të aviacionit vazhdon të mbështetet në pajisje dhe procedura të zhvilluara disa dekada më parë.
Kontrollorët amerikanë përdorin ende dokumente letre për të regjistruar dhe koordinuar lëvizjet e avionëve, ndërsa vende të tjera kanë kaluar prej kohësh në sisteme elektronike.
Kanadaja, për shembull, e përfundoi kalimin në regjistrimin elektronik të fluturimeve në vitin 2009, ndërsa SHBA-ja pritet ta përfundojë këtë proces rreth dy dekada më vonë.
Ekspertët e aviacionit të cituar nga Financial Times argumentojnë se problemi kryesor nuk është vetëm teknologjia e vjetër, por edhe mënyra se si financohet sistemi amerikan.
Ndryshe nga shumë shtete të zhvilluara, ku kontrolli i trafikut ajror financohet kryesisht përmes tarifave të përdoruesve, në SHBA investimet varen nga vendimet buxhetore të Kongresit.
Kjo ka bërë që modernizimi të zhvillohet ngadalë dhe të ndikohet nga përplasjet politike.
Kërkohen deri në 50 miliardë dollarë për modernizimin
Pas incidentit, ministri amerikan i Transportit kërkoi financim shtesë nga Kongresi për modernizimin e plotë të sistemit.
Duffy e rriti kërkesën për investime të reja nga 30 miliardë në 50 miliardë dollarë, duke argumentuar se infrastruktura aktuale nuk mund të vazhdojë të funksionojë me teknologji të vjetruar.
Qeveria amerikane kishte siguruar më herët 12.5 miliardë dollarë për përmirësimin e sistemit.
Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se investimi i menjëhershëm i shumave të mëdha nuk garanton zgjidhjen e problemeve.
Ata argumentojnë se modernizimi duhet të shoqërohet me reforma në menaxhim, financim dhe mënyrën e realizimit të projekteve teknologjike.
Ndërkohë, incidenti ka shkaktuar edhe përplasje politike në Uashington.
Disa përfaqësues demokratë kanë fajësuar administratën e presidentit Donald Trump dhe ministrin Duffy për ndërprerjen e fluturimeve, ndërsa ekspertë të aviacionit kanë theksuar se problemet janë rezultat i dekadave të tëra të mungesës së investimeve.
Analiza e Financial Times ngre një shqetësim më të gjerë: një nga sistemet më të rëndësishme të transportit në botë mbetet i cenueshëm nga defekte teknike që mund të përhapen në të gjithë rrjetin.
Incidenti tregoi se edhe një ndërhyrje relativisht e zakonshme në një pikë të largët të sistemit mund të ketë pasoja në shkallë kombëtare.