Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës po vazhdojnë të mbahen peng nga Serbia. Osmani në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59-të të kadetëve të Policisë së Kosovës, i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja e vendit tha se mizoritë e tilla duhet të ndalen.
“Përderisa po përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë se edhe në këtë momente pesë Policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovenist, Serbia. Prandaj i bëj thirrje të gjithë aleatëve tanë që të ngrisin zërin dhe të rrisin përpjekje që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoveniste kundër qytetarëve tanë dhe Policisë sonë. Jam e bindur se betimi i sotëm dhe të gjitha këta kadetë dhe ky grup multientik është përgjigja më e mirë ndaj veprimeve të tilla”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka quajtur akt të paprecedent mbajtjen zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës të nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq dhe katër zyrtarëve policorë nga autoritetet serbe që nga dita e djeshme në Serbi.
Ai tha se ky është sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në Policinë e Kosovës.
“Sot ceremonisë i mungon zëvendësdrejtori nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq i cili dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashë të Serbisë, ashtu siç po mbahen në Serbi edhe 4 zyrtarë të tjerë policor. Ky është një akt i paprecedent i Serbisë mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar policisë së Kosovës. Ky është një sulm i drejtëpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në policinë e Kosovës, të cilët gjejnë vet guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët për shërbim e siguri për të gjithë qytetarët. Republika jonë është e përbashkët dhe çdo ditë e punës sonë duhet dedikuar forcimit të tij kolegëve të tjerë polic”, tha Sveçla.
Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”. Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Kujtojmë se autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar edhe autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.
Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
MPJD i është drejtuar faktorit ndërkombëtar për bllokimin e shtetasve të Kosovës në territorin serb, ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, po ashtu njoftoi se për situatën e ka njoftuar edhe ndërmjetësin evropian të dialogut, Mirosllav Lajçak.
Bashkimi Evropian në një reagim tha se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Petar Stano./Reporteri.net/