×
  • Lajme
  • Lajme / Ngjarja e ditës

    Shkelja e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga Serbia, kritikat dhe reagimet mbi ndalimin e qytetarëve kosovarë dhe policët

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 23:04

    Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u shkel sot nga Serbia pas ndalimit nga autoritetet në Beograd të autobusëve me udhëtarë kosovarë nëpër pikëkalime të ndryshme kufitare të këtij shteti, shkruan Reporteri.net.

    Bashkimi Evropian tha se konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

    “Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Petar Stano.

    BE reagon për ndalimin e autobusëve me kosovarë në kufi: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

    Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”. Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.

    Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.

    Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës dhe disa zyrtarë policorë po mbahen në Serbi

    Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) tha të mërkurën vonë se një zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe katër zyrtarë të tjerë policorë janë duke u mbajtur nga autoritetet serbe.

    Ministria tha se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është duke u mbajtur “në ndalim nga mëngjesi i sotëm pa asnjë sqarim”.

    MPB njofton se 5 zyrtarë policorë përfshirë Jankoviqin vazhdojnë të mbahen nga Serbia, bën thirrje te ndërkombëtarët të dënojë veprimin e sotëm

    Jankoviq – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – u ndalua në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

    “Duke e njohur këtë praktikë të përsëritshme të Serbisë ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, i njëjti intervistohet nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë”, tha MPB-ja.

    Ajo tha se autoritetet serbe i kanë ndaluar “10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë)”, por shtoi se pesë prej tyre janë liruar tashmë. Sipas ministrisë, institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar.

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë të mërkurën vonë se “një pjesë” e qytetarëve kosovarë, të ndaluar gjatë ditës nga autoritetet serbe në vendkalimet kufitare serbe, janë liruar tashmë.

    Gërvalla: Vuçiqi ka nisur t’i jetësojë kërcënimet pas votimit të djeshëm në Asamblenë Parlamentare

    Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Gërvalla shtoi se “nuk kemi informata se a janë liruar të gjithë, apo nëse ka ende qytetarë tanë që janë duke u mbajtur nëpër vende të ndryshme”.

    “Do t’ju japim këto informata sapo t’i kemi verifikuar të gjitha”, theksoi ajo.

    Reagimet në Kosovë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha po ashtu se u është drejtuar shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Italia dhe Gjermania – institucioneve të Bashkimit Evropian dhe instancave të tjera ndërkombëtare për këtë çështje “dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë”.

    Krerët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë akuzuar Serbinë se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë të mërkurën, si shenjë hakmarrjeje pas vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e kësaj organizate.

    Osmani u bëri thirrje partnerëve të veprojnë “shpejt”, ndërsa tha se përgjegjës për këtë është “vetëm një njeri: [presidenti serb Aleksandar] Vuçiq”.

    Osmani u kërkon aleatëve ndihmë: Vuçiqi është përgjegjës për çfarë po ndodh në kufij

    “Serbia po u hakmerret qytetarëve kosovarë, një ditë pas votimit në PACE, duke i mbajtur peng shumë [qytetarë] në pikëkalime, duke i frikësuar, duke ua konfiskuar dokumentet dhe duke ua mohuar ushqimin”, shkroi ajo në rrjetin social X.

    Kryeministri Kurti e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut ndalimin e qindra qytetarëve të Kosovës nga autoritetet kufitare në Serbi.

    Përmes një postimi në X, Kurti tha se qytetarët që kanë mbetur të bllokuar që nga mëngjesi në kufijtë e Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.

    Kurti: Mbi 300 shtetas të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht në kufij, Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës

    “Një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi në favor të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, Serbia u kundërpërgjigj ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, më shumë se 300 qytetarë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar në mënyrë arbitrare në kufi, duke u privuar nga ushqimi dhe ilaçet. Shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”, shkroi Kurti në X.

    MPJD i është drejtuar faktorit ndërkombëtar për bllokimin e shtetasve të Kosovës në territorin serb, ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, po ashtu njoftoi se për situatën e ka njoftuar edhe ndërmjetësin evropian të dialogut, Mirosllav Lajçak.

    “Kjo është përgjigja e Serbisë dhe hipokrizia karshi respektimit të të drejtave të njeriut nga një shtet që aktualisht është anëtar i Këshillit të Evropës. Veprime të tilla edhe një herë dëshmojnë rënien e demokracinë dhe politikën e tyre të vazhdueshme të agresionit”, shkroi Bislimi në X./Reporteri.net/.

    Bllokimi i kosovarëve në kufi, Bislimi njofton Lajçakun: Dëshmi se Serbia s’është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!