Kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, ka refuzuar të japë detaje lidhur me takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Osmani nuk është përgjigjur as në pyetjet nëse do të heqë dorë nga posti i presidentes dhe nëse do të zhvillojë sërish takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Është deklaruar sekretari i LDK-së. E mbështes atë deklaratë. Ju lus për mirëkuptim”, tha Osmani.
Siç u raportua në media, delegatët e LDK-së, të cilët janë të pakënaqur me udhëheqjen aktuale të partisë, sot do t`i dorëzonin nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku do të kërkohet shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.
Nisma pason pakënaqësitë e shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, çka ka çuar edhe në përplasjet e hapura brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, janë shoqëruar me replika mes figurave drejtuese të partisë.
Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e Dytë në Prishtinë, dega në Rahovec, kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon përgjegjësi politike dhe reflektim të thellë në nivel qendror.
Ata kanë kërkuar që përgjegjësia për rezultatin zgjedhor të bartet nga udhëheqja e partisë.
/Reporteri.net/