×
  • Lajme
  • Lajme / Bllokimi i qytetarëve të Kosovës

    Osmani u kërkon aleatëve ndihmë: Vuçiqi është përgjegjës për çfarë po ndodh në kufij

    Reporteri
    17 Prill 2024 | 16:53

    Presindetja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me bllokimin e qindra qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare të Serbisë, duke thënë se Serbia po hakmerret një ditë pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Osmani në një postim të bërë në platformën “X”, ka thënë se përgjegjës lidhur me këtë është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Poashtu, presidentja i ka bërë thirrje aleatëve që të veprojnë shpejtë.

    “Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve të Kosovës, një ditë pas votimit të Këshillit të Evropës në APKE, duke mbajtur peng shumë në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. Një njeri është përgjegjës për këtë: Vuçiq. Ashtu siç bëra gjatë gjithë ditës, u bëj thirrje partnerëve tanë për veprim të shpejtë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Qindra qytetarë të Kosovës janë bllokuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare me Kroacinë, e që disa prej tyre pas më shumë se 13 orëve janë liruar tek kjo pikë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se atyre u janë marrë dokumentetet personale, si dhe disa prej tyre janë marrë në pyetje. Gjithashtu, kjo ministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin pikat kufitare të Serbisë.

    Bashkimi Evropian e ka cilësuar shkelje të lëvizjes së lirë nga ana e Serbisë.

    “Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për REL.

    Kryeministri Albin Kurti në reagimin e tij, tha se Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës. Kjo tha Kurti është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti.

    ër bllokimin e qytetarëve të Kosovës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi njoftoi edhe emisarin evropian, Miroslav Lajçak. Ai tha se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE.

    Bislimi thotë se akti i tillë dëshmon rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të agresionit.

    “Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar Bislimi në “X”.

    Një veprim të tillë të Serbisë, e ka dënuar Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

    Në një reagim të saj, OEAK i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara./Reporteri.net/

    Bllokimi i kosovarëve, Oda Amerikane: Shkelje e qartë e dispozitave të marrëveshjeve për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!