×
  • Lajme
  • Lajme

    OVL e UÇK-së: Pas veteranëve mashtrues fshihet një bandë kriminale

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 17:23

    Zyrtarë nga OVL e UÇK’së, po kërkojnë që organet e hetuesisë t’i japin dënimin maksimal personit i cili ne emër të UÇK’së për muaj me radhë kishte lëshuar certifikata të rrejshme duke ua mundësuar shumë personave që ta marrin titullin e veteranit të luftës.


    Por veprimtaria jo ligjore e L.D përfundoj ditën e djeshme. Ai ra në prangat e policisë si dhe po akuzohet për dy vepra penale, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrim”. Ndërkohë nga OVL e UÇK’së po deklarojnë se pas personave që merren me veprimtari të tilla qëndron një bande kriminale.

    Policia e Kosovës është duke i vazhduar hetimet për një grup i cili po dyshohet se për një kohë të caktuar ka lëshuar Certifikata të cilat ua kanë mundësuar shumë personave që ta marrin jashtëligjshëm statusin e veteranit. Pjesë e këtij grupi kishte qenë edhe një person me iniciale L.D i cili tashmë është arrestuar nga ana e institucioneve të hetuesisë kosovare.

    Policia po dyshon se L.D këtë punë e kishte bërë në bashkëpunim edhe me persona të tjerë.

    Por hetim maksimal për ta po kërkojnë veteranët e vërtetë.

    Zyrtarë nga organizata e cila merret me mbrojtjen e vlerave të luftës në një prononcim për Gazetën Express kanë deklaruar se këtë punë po e bëjnë matrapazët e jo veteranët e vërtetë.

    Kështu ka thënë, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati.

    “Veprimin e të dyshuarit mund ta bëjë çdonjëri, shqetësuese është nëse i dyshuari ka poseduar edhe kartelën e veteranit të UÇK-së, gjë që besoj se nuk e ka pasur dhe unë përfaqësoj vetëm ata që kanë kartelën e veteranit të UÇK-së” ka deklaruar Gucati për Express.

    E pas këtij veterani të rrejshëm, Gucati thotë se fshihet një rrjet kriminal.

    “Këtë lloj pune bëjnë vetëm matrapazët të cilën dëshirojnë të përfitojnë materialisht nga lufta e pastër e UÇK-së, por herët a vonë e vërteta do të dalë në shesh. Unë nuk e di se kush është dora e parë e këtij rrjeti, por uroj që policia ta zbardhë rastin deri në fund” shtoi Gucati.

    Ndërkohë në vazhdën e arrestimeve që policia e Kosovës është duke i bërë në muajin e kaluar ka arrestuar edhe tre persona të tjerë të cilët dyshohen se kanë keqpërdorur statusin e veteranit.

    Ndërkohë, prokuroria e Shtetit, tashmë e ka hartuar një listë me emrat e shumë ‘veteranëve’, të cilën të plotësuar e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Tutje, prokurori special i cili është marrë me listat e veteranëve të rrejshëm, Sylë Hoxha, gjatë dërgimit të aktakuzës ka propozuar që veteranëve të cilët dyshohet se jashtëligjshëm kanë përfituar pensione t’iu ndalen pensionet.

    Kujtojmë se nga buxheti i Republikës së Kosovës, gjatë vitit të kaluar, për personat të cilët hyjnë në skemën e kategorive sociale, të krijuar nga Qeveria e Kosovës, ku hyjnë edhe veteranët e luftës, janë ndarë mbi 350 milionë euro.

    Kjo shumë vlerësohet të jetë një barrë e madhe për buxhetin e shtetit, i cili arrin në një vlerë prej pak më shumë se 1 miliard e 680 milionë euro.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!