×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Ministrja në detyrë

    Pacolli pas vdekjes së 26-vjeçarit nga rrëzimi i vinçit: Komuna e Prishtinës të japë llogari

    Reporteri
    28 Korrik 2026 | 19:07

    Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka kërkuar llogaridhënie të menjëhershme pas aksidentit në një vendpunishte në Prishtinë, ku një 26-vjeçar ka vdekur dhe një 18-vjeçar ka mbetur i lënduar.

    Pacolli ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë.

    “Me trishtim dhe keqardhje të thellë mora lajmin tragjik për humbjen e një jete dhe lëndimin e rëndë të një qytetari sot në një kantier ndërtimi në Prishtinë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje të madhe, ndërsa të lënduarit i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar ajo.

    Sipas ministres në detyrë, ky është rasti i katërt i kohëve të fundit në Prishtinë që ka përfshirë rrezik për jetë dhe dëmtim të pronës.

    “Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë”, ka deklaruar Pacolli.

    Ajo ka thënë se përgjegjësia për lejimin e punimeve, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e rasteve të tilla i takon Inspektoratit Komunal të Ndërtimit dhe Komunës së Prishtinës.

    “Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar ajo.

    Pacolli ka bërë të ditur se ministria që ajo drejton është duke verifikuar çdo shkelje apo lëshim të mundshëm dhe se do të kërkojë që përgjegjësit të japin llogari para ligjit.

    Ajo u ka bërë thirrje edhe odave profesionale që të vlerësojnë nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe, nëse konstatohen shkelje, të ndërmerren masa disiplinore ndaj personave përgjegjës.

    “Siguria e qytetarëve, pronës dhe standardeve të ndërtimit është e panegociueshme. Nuk do të ketë kompromis me askënd”, ka përfunduar Pacolli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!