×
  • Lajme
  • Lajme

    Palmer për shkëmbimin e territoreve: Kjo s’duhet të jetë në qendër të marrëveshjes, diçka tjetër është e para

    Reporteri
    09 Prill 2019 | 16:14

    Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer i cili ka vizituar Tiranën ka folur edhe për marrëveshjen që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.


    Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë përjashtuar ndryshimin e kufijve, si mundësi të arritjes së një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, Palmer ka thënë se kjo nuk duhet të jetë thelbi i marrëveshjes.

    “Ne mbështesim një marrëveshje mes dy vendeve, për sa kohë ato bien dakord për një pakt ku tregohen interesat e dy vendeve”, tha Palmer.

    Kjo përgjigje e Palmer vjen pas deklaratave të ambasadorit rus në Tiranë, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve është ide që po promovohet nga amerikanët.

    Alexander Karpushin tha se rusët nuk kanë folur ndonjëherë për këtë temë dhe se kjo është një nismë amerikane, përcjell reporteri.net.

    “Një ide e cila promovohet nga zyrtarë amerikanë. Siç mund ta mbani mend, fillimisht, në gusht 2018, për zbatimin e mundshëm të këtij skenari ka folur këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare John Bolton, ndërkohë që më pas, në fillim të marsit 2019, për këtë ka folur Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit Matthew Palmer”, ishte shprehur ambasadori rus në Tiranë.

    Por, Palmer tha se çështja e kufijve nuk duhet të jetë në qendër të kësaj marrëveshjeje.

    “Në qendër të marrëveshjes duhet të jetë njohja reciproke. Serbia të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe anasjelltas. Çështja e kufijve nuk është në qendër të kësaj marrëveshjeje”, tha Palmer. “Ne i kemi inkurajuar palët që të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për të arritur marrëveshjen. Por nuk kemi mbështetur asnjë ide apo pjesë. Duam vetëm një zgjidhje që hap rrugën europiane për Serbinë dhe Kosovën”. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!