×
  • Lajme
  • Lajme / Qeveria e dorëzuar përballë bandave të aviacionit

    Pas shkarkimit, Ejupi kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë: Shkoni në zyrën time, merrni provat e falsifikimeve para se t’i dëmtojnë ato “njerëzit e fuqishëm”

    Autor:Mentor Gjergjaj
    25 Gusht 2023 | 15:00

    Dorëzim të shtetit përballë bandave, grupeve të interesit e monopoleve në aviacionin civil, shpërfaqin një sërë letrash që ish-drejtori i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, Bujar Ejupi, i ka adresuar kohë pas kohe tek Kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij ministror. Një adresim të tillë, Ejupi e ka bërë edhe sot, dy ditë pas shkarkimit të tij që u bë në ditën kur i njëjti po përgatitej për të hyrë në sallë të operacionit për një intervenim mjekësor. Letra e fundit, që thotë se po e shkruan nga dhoma e spitalit ku është operuar, adresë përveç Kurtin, ka edhe u.d. e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës. Aty ai kërkon mbrojtje të dëshmive të krimeve dhe aferave korruptive në aviacionin civil, që gjenden në zyrën e tij, dhe ndihmë për të dhe familjen e tij nga “njerëz të fuqishëm” që mund t’ua rrezikojnë jetën.

    Bujar Ejupi, ish-drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, i shkarkuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, po dyshon se vendimi i kabinetit qeveritar të Kryeministrit Kurti është sulm ndaj sinjalizimeve të tij dhe një tentativë për të fshehur faktet e keqpërdorimeve dhe korrupsionit në AAC.

    Për këtë, ai i ka kërkuar të premten Prokurorisë Speciale që të shkojë në zyrën e tij dhe t’i mbrojë si dëshmi kopjet e falsifikimeve të licencave dhe e-mail’at zyrtarë, që i ka poseduar vetë ai si shef i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

    Kjo në pa mundësi që vetë Ejupi ta bëjë këtë, pasi siç thotë shkarkimi i tij të mërkurën erdhi pa paralajmërim, gjatë kohës sa i njëjti ndodhej në pushim mjekësor dhe i shtruar në spital.

    “Vendimi për shkarkimin tim (s’jam njoftuar ende zyrtarisht), i pa pritur dhe pa asnjë paralajmërim nga Qeveria, është pa dyshim një sulm ndaj sinjalizimit tim dhe një tentativë për të fshehur faktet e keqpërdorimeve dhe korrupsionit. Është e qartë që unë shkarkohen ndërsa jam në spital për të penguar qasjen time në dokumente dhe dëshmi, për të fshehur provat (shkresat zyrtare, emaail-at, dokumentacionin, etj.)”, shkruan Eujpi në letrën e tij për “trajtim urgjent”, të adresuar tek u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isuaj, e disa Prokurorë tjerë specialë. Letra, të cilën e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net, u ka shkuar dhe Kryeministrit Albin Kurtit, zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, e Ministrave Liburn Aliu e Hekuran Murati. Sikurse edhe Yll Buleshkajt të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

    “Unë kërkoj nga Prokuroria Speciale dhe Prokuroria që të gjitha dokumentet në zyrën time dhe email-at zyrtare (ku janë edhe kopjet e falsifikuara të licencave që i kam bërë të pavlefshme, si dëshmi për falsifikim) të mbrohen nga policia dhe të parandalohet dëmtimi dhe manipulimi i provave”.

    Nga letra e tij, që mbanë datën e 25 gushtit 2023, kuptohet se Ejupi po ndjehet edhe i kërcënuar dhe rrezikuar nga ata që ai i quan “njerëz të fuqishëm”. Për këtë ai ka kërkuar ndihmë e mbrojtje policore ndaj tij dhe familjes.

    “Po ashtu, kërkoj ndihmë edhe mbrojtje policore për mua dhe familjen time, pasi kjo tregon se në korrupsion janë përfshirë njerëz të fuqishëm edhe janë në gjendje të bëjnë çdo gjë të shmangur dëshmi time për korrupsion, pra mund të rrezikojnë jetën time edhe të familjes time”, ka shkruar ai.

    Në fillim të letrës së tij, Ejupi i sqaron Prokurorisë së Shtetit dhe shefit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, se si vetë ai si sinjalizues i keqpërdorimeve në fushën e aviacionit civil dhe partneritetit publik-privat ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale dhe ka dhënë dëshmi në lidhje me keqpërdorimet e ndryshme në AAC dhe PPP.

    Aty ai thotë se ka deponuar edhe dëshmi në prokurori për falsifikimin e licencave të kontrolleve ajrore, përfshirë disa të familjarëve të ministrit, por pa e specifikuar se për cilin Ministër bëhet fjalë.

    “Dëshiroj t’ju rikujtojë se në shkurt të vitit 2023 kemi pasur një incident serioz ajror, i cili është nën hetim. Ky incident ka ndodhur për shkak të gabimeve njerëzore që kanë lidhje me licencat, për të cilat unë kam raportuar. Kam raportuar në polici e prokurori edhe për raste të tjera, përfshirë keqpërdorime, pastrim parash dhe mashtrim të udhëtarëve nga kompanitë ajrore”.

    Një sërë shkresash për këto pohime, të cilat i ka parë gazeta online Reporteri.net, Ejupi i kishte adresuar kohë pas kohe edhe tek Kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministrat e Infrastrukturës, Liburn Aliu e ai i Financave, Hekuran Murati.

    Ejupi kishte denoncuar te Kurti se si deputeti i LVV’së po orkestron dhënien e një licence një kompanie private, 5 ditë pas Qeveria e shkarkoi

    Reagimi i vetëm i Qeverisë së Kosovës ndaj këtyre pretendimeve ka qenë shkarkimi i Bujar Ejupit, të mërkurën, me propozimin e paraqitur në mbledhje të kabinetit qeveritar, nga zëvendësministri i MIA, Hysen Durmishi.

    Madje, siç ka raportuar gazeta online Reporteri.net, vendimi për shkarkimin e Ejupit erdhi 5 ditë pasi i njëjti kishte denoncuar te Kurti se si deputeti i LVV’së, Driton Hyseni, po orkestron dhënien e një licence një kompanie private për t’i mundësuar qasjen në Tregun e Shërbimeve në Tokë një kompanie private në Aeroportin e Prishtinës.

    Tregon se me datë 10 gusht 2023 ishte takuar me përfaqësuesit e kompanisë private të huaj, e cila po synon licencën për hyrje në tregun e shërbimeve në Tokë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, dhe se në takim iu dhanë informata për ndërhyrjen e zyrtarëve të qeverisë dhe deputetit Hyseni në proces.

    “Duhet të përmendet fakti që përfaqësuesit e kompanisë “Airline Assistance Sëitzerland AG” kanë deklaruar se para takimit me AAC-në paraprakisht ishin takuar edhe me zyrtarët qeveritarë se dhe me deputetin z. Driton Hyseni (i cili para se të bëhet deputet ishte zyrtar i LIMAK-ut, kurse i njëjti është i afërt edhe me punëtore të AAC-së përgjegjës për rregullimin ekonomik, por edhe me zyrtarë të kompanisë AAS (Yusuf Incerkara) që paraprakisht kishin punuar në LIMAK Kosova së bashku me z. Hyseni) dhe kjo praktikë ku operatorë paraprakisht takohen në nivele politike/jo formale para se të bëhen transparente kushtet për hyrjen në treg të operatorëve potenciale, është shqetësuese dhe rrit mundësitë e ndikimit joformal dhe të trajtimit të operatorëve ekonomik në kushte jo transparente dhe jo të barabarta”, shkruante Ejupi në letrën të cilën e dërgoi të premten e 18 gushtit 2023, te Kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij.

    I kontaktuar të mërkurën, përmes një mesazhi telefonik, deputeti i LVV’së, Driton Hyseni, nuk i ka mohuar pretendimet e Ejupit për takimin e tij me përfaqësuesit e kompanisë së cekur në letrën e ish-shefit të AAC’së për Kurtin.

    “Referuar pyetjes tuaj, më lejo të sqaroj se çdo palë që na kontakton për çfarëdo arsye e ndjej obligim ta orientojmë tek autoritetet përgjegjëse në vend. Pretendimet e tilla për orkestrime nuk janë aspak të vërteta. Për fushën e specifikuar për te cilën shprehin interesim kompanitë e ndryshme, e rregullon ligji dhe rregulloret ne fuqi ne vend”, tha deputeti i LVV’së në përgjigjen e tij me shkrim, për gazetën online Reporteri.net.

    Nga ana tjetër, shkarkimi i Bujar Ejupit nga drejtori i AAC’së, me 23 gusht 2023, gjatë kohës sa ai ishte në pushim mjekësor, në ditën kur i njëjti po përgatitej që të futej në sallën e operacionit për një intervenim kirurgjik. Për këtë ai kishte njoftuar një ditë më parë, me 22 gusht 2023, Ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu. Rrjedhimisht, vendimi për shkarkimin e tij mund të jetë edhe në kundërshtim me Ligjin e Punës, që parasheh se punonjësi nuk mund të largohet nga puna e tij në periudhën e shfrytëzimit të pushimit mjekësor. /Reporteri.net/.

    Qeveria Kurti ‘dorëzohet’ para grupeve të interesit të aviacionit civil, shkarkon Drejtorin e AAC-së që luftoi dukurinë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!