×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi

    Qeveria Kurti ‘dorëzohet’ para grupeve të interesit të aviacionit civil, shkarkon Drejtorin e AAC-së që luftoi dukurinë

    Reporteri
    23 Gusht 2023 | 16:16
    Fotografi ilustruese nga një prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës

    Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës ka shkarkuar Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

    Kjo pasi propozim-vendimin për këtë e bëri zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Sot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundimin e parakohshëm të mandatit të drejtorit të përgjithshëm të Autoriteti të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mos-aprovimi i raporteve vjetore të AAC nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve proporcionale të z.Ejupi nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC, raportimi me shumë gjetje i autoriteti mbikëqyrës të Islandës në emër të KFRO-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë të kontraktuar nga DEASA dhe një varg shkeljesh të ndryshme, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e parakohshëm të mandatit të z.Ejupi”, tha Durmishi.

    Tashmë ish-Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi, para pak ditësh publikisht kishte denoncuar se po përballet me sulme, presione e shantazhe që nga koha kur ka lajmëruar keqpërdorimet që pretendon se janë bërë në AAC.

    Në një postim të gjatë në Facebook, ai me 2 gusht 2023 kishte renditur veprimet që ka ndërmarrë që nga koha kur është emëruar si Drejtor i Përgjithshëm. Ndër të tjera, Ejupi ka treguar se AAC ka raportuar thyerjen e ligjit për tarifat e kerozinës, si pasojë e së cilës janë përfituar mbi 2 milionë euro nga operatori ekonomik, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Gazetës Online Reporteri.net kishte raportuar se ish Ejupit prej kohësh Qeveria e Kosovës ishte duke ia bllokuar proceset brenda Autoritetit të Aviacionit Civil dhe se i njëjti po përballej me kërcënimet për shkarkim nga detyra shkaku i punës së tij.

    Krejt kjo siç kishte marr vesh Gazeta Online Reporteri.net, dhe siç ishte pohuar edhe nga vetë Ejupi në reagimin e tij, ka të bëjë edhe me “monopolin e kerozinës” për avionë, që prej vitesh ndikon në “vjeljen” përmes biletave të shtrenjta të udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës.

    Monopoli i kerozinës: Miliona për LIMAK dhe “Ex-Fis”, zhvatje për xhepat e udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës

    “Rasti është paraqitur menjëherë nga AAC në komisionin PPP, pasiqë kërkohen hapa të menjëhershëm për të ndaluar thyerjen e ligjit shumë vjeçar në ANP. AAC për herë të parë ka adresuar hapjen e tregut dhe ka sinjalizuar keqpërdorimin me monopolin e shitjes se kerozinës në aeroport”, kishte njoftuar Ejupi para pak ditësh.

    Gazeta Online Reporteri.net në gusht të vitit 2021 kishte dëshmuar përmes një hulumtimi se si Monopoli i kerozinës po i siguronte miliona euro në vit Aeroportit dhe kompanisë “Ex-Fis”, duke i zhvatur kështu edhe xhepat e udhëtarëve të Aeroportit të Prishtinës.

    Hulumtimi kishte gjetur se mbi 10 milionë Euro rezultonte t’i ketë pasur fitim bruto vetëm gjatë viteve 2018 dhe 2019 kompania e derivateve “Ex Fis”, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport.

    Po ashtu, burimet e Gazetës Online Reporteri.net kishin treguar që Ejupi ishte përballur vazhdimisht edhe me pengesa në punën e tij gjatë angazhimit të AAC-së për hapjen e korridorit ajrorë me Shqipërinë e Malin e Zi. Edhe këtë rast, Ejupi e kishte përmendur në postimin e tij.

    Denoncimi i Drejtorit të AAC-së për sulme e shantazhe ndaj tij, burimet e Gazetës Reporteri: Qeveria dhe “monopoli i kerozinës” po duan shkarkimin e tij

    “Reagimet negative ndaj kërkesës sime për ligjshmëri, si drejtor I institucionit të AAC, shfaqin nivelin e ndikimit dhe rezistencën që përballen përpjekjet e mija për të sjellë transparencë dhe ndryshim pozitiv në këtë institucion dhe çojnë në largimin e qëllimshëm të fokusit nga aspekti profesional mbikëqyrës i AAC-së drejtë temave fiktive dhe tendencioze lidhur me pozitën time si drejtor i përgjithshëm. Si drejtor i AAC, më vjen keq që duhet të përballem me sulmet, presionet dhe shantazhet e përditshme”, kishte njoftuar Ejupi.

    Ai kishte treguar edhe se është kërkuar hetim për mbi 110 incidente të raportuara të prishjes së Radarit, dhe mbi 43 humbje të energjisë në pajisjet jetike të navigacionit ajror, si dhe që inspektorëve të AAC-së u është kërkuar të ndalin zhvillimin e aktiviteteve për operatorët që ata mbikëqyrin, për të shmangur konfliktin e interesit.

    Megjithatë, përkundër pretendimeve të Ejupit, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil e ka përshendetur vendimin e sotshëm, që sipas tyre është vendim i vonuar.

    Drejtori i Aviacionit Civil: Po përballem me sulme e shantazhe të përditshme, jam shënjestër e grupeve të caktuara

    *Fotografia kryesore e artikullit: Ilustrim nga arkiva

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!