×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas vdekjes së 28 vjeçarit në vendin e punës në Mitrovicë, Haradinaj mbledh institucionet

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 10:20

    Vdekja e një të riu në vendin e punës në Mitrovicë si dhe shembja e një pjese të objekti në Fushë Kosovë, ka bërë që kryeministri Ramush Haradinaj të mbledh udhëheqësit e institucioneve që në ndonjë formë lidhen me këto ngjarje.


    Sipas tij, rasti i incidenteve të fundit në ndërtimtari është sinjal për të ngritur alarm, shkruan Reporteri.net.

    “Rasti i incidenteve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë, me pasoja fatale, janë sinjale për alarm. Për të adresuar çështjen e standardeve teknike të objekteve si dhe sigurisë dhe mbrojtjën në punë, kam zhvilluar takim pune me Shoqaten e Ndërtimtarëve, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, ministren e MAPL, përfaqësuesit e MMPH, MPMS dhe Policinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

    Ndërkaq, kryeqeveritari ka thënë se do të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të rritur inspektimin dhe kontrollin në tregun e ndërtimeve. Ai bëri të ditur se u ka kërkuar vartësve të tij të angazhohen lidhur me komunikimin me komunat për të rritur inspektimin.

    “Qeveria do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në aktivizimin e inspektimit të punës dhe kontrollit të shtuar në tregun e ndërtimeve. Kërkova nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ambientit që menjëherë t’i drejtohen komunave për shtimin e kapaciteteve të inspektimit dhe kontrollit adekuat të lejeve. Gjithashtu, Policia ka filluar menjëherë hetimin e rasteve të fundit dhe do të shtojë kapacitetet në asistencë të inspektorëve”, ka shtuar i pari i Qeverisë.

    Sidoqoftë, Kosova ka numër të madh të punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës. Vetëm këtë vit ky numër ka shkuar në 6, ndërkohë që mbi 20 humbën jetën vitin e kaluar./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!