Dy kryeministrat, i Kosovës Albin Kurti dhe i Shqipërisë, Edi Rama, kanë folur së fundmi për verdiktin e Gjykatës Speciale ku i dënoi ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Kryeministri i Kosovës ka thënë thënë aktgjykimi duhet të kundërshtohet në Apel, kurse i Shqipërisë ka pohuar se do t’i ndihmojë Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Gjetjet e mbetura, megjithatë, u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”, tha Kurti nga Amerika ku po qëndron.

Reklamë

Ai tutje ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.

“Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata.
Pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës. Ra pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Michigan, ka deklaruar se Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i qëndrojë në krah Kosovës, ndërsa theksoi se institucionet e Kosovës duhet të përcaktojnë mënyrën e reagimit ndaj aktgjykimit.

“Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave”, tha Rama.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet. Trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët fajtorë për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. /Reporteri.net/.

Reklamë