Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të mbahet sot në orën 17:30.

“Me shumë respekt kërkoj mbështetjen e Kuvendit për këtë mocion”, tha Tahiri.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se gjatë shqyrtimit të pikave të rendit të ditës nuk mund të ndërhyhet me mocione të tilla.

Reklamë

Ajo u bëri thirrje partive që, në vend të kësaj, të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke përmendur edhe situatën pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Nuk ka më të rëndësishme se presidenti. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje sërish”, tha Haxhiu, duke shtuar se është optimiste se mund të gjendet një zgjidhje.

“UÇK-në nuk mund ta mbrojë vetëm PDK-ja. UÇK ka në secilën parti”, tha ajo.

Projektligji për Specialen u miratua më herët gjatë ditës në lexim të parë me 91 vota për, pa asnjë votë kundër apo abstenim.