Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia që ai drejton e pranon kandidaten e propozuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Justina Shiroka-Pulën, për presidente të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, Hamza ka deklaruar se PDK-ja do të propozojë deputeten Eliza Hoxha si kundërkandidate në procesin e zgjedhjes së presidentes.
Hamza tha se kjo marrëveshje është dashur të arrihej disa ditë më herët, duke kërkuar më shumë seriozitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe për situatën institucionale në vend.
“Është dashur të ndodhë kjo para disa ditësh dhe është dashtë të kishte seriozitet për këtë çështje dhe për vendin”, ka thënë Hamza.
Ai bëri të ditur se deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit, ku pritet të trajtohet edhe çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Për PDK do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim ta votojmë ligjin dhe ta përfundojmë këtë”, tha Hamza.
Më tej, ai iu referua edhe propozimit të kryeministrit Kurti për kandidaten për presidente, duke paralajmëruar se PDK-ja do të procedojë me kandidaturën e Eliza Hoxhës.
Zgjedhja e presidentes vjen në kuadër të përpjekjeve për të zhbllokuar situatën institucionale në vend, ndërsa palët politike janë përfshirë në negociata për arritjen e një marrëveshjeje në Kuvend.
Kryeministri Albin Kurti ka propozuar sonte para pak minutash Justina Shiroka-Pulën për pozitën e Presidentes dhe ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të vijnë dhe ta votojnë. Ai përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë.