Kryetari i GUXO, Faton Peci ka reaguar për zhvillimet e sotme.
Ai i ka bërë thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate.
“Zgjedhja e Presidentit/-es jo vetëm do t’i kompletonte institucionet tona të larta, por edhe do të krijonte stabilitet në këto kohë sfiduese. E vetëm me stabilitet institucional do të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin, edhe me ato që lidhen me procesin e drejtësisë e të shkallës së Apelit në Hagë”, ka shkruar ndër të tjera Peci.
Postimi:
Ta dëshmojmë se e duam Kosovën
Duke parë ngjarjet aktuale dhe duke pasur parasysh se kemi vetëm edhe 24 orë për ta zgjedhur Presidentin/-en e Kosovës, si Kryetar i Partisë Guxo i bëj thirrje LDK-së për reflektim e angazhim të përbashkët me qëllim të tejkalimit të kësaj situate.
Zgjedhja e Presidentit/-es jo vetëm se do t’i kompletonte institucionet tona të larta, por edhe do të krijonte stabilitet në këto kohë sfiduese. E vetëm me stabilitet institucional do të jemi të gatshëm të përballemi me sfidat që na presin, edhe me ato që lidhen me procesin e drejtësisë e të shkallës së Apelit në Hagë.
Të punojmë së bashku, të japim maksimumin që të tejkalojmë ditët e vështira që po kalon Kosova. T’ua dëshmojmë të gjithëve, po edhe vetes sonë e njëri-tjetrit, se e duam Kosovën, vendin tonë të bekuar.
Për Kosovën ia vlen kompromisi, ia vlen tejkalimi i vetvetes, ia vlen marrëveshja.
Për Kosovën ia vlen gjithçka.