Për 24 orë, PSD-ja mbledh mbi 2 mijë nënshkrime për rritjen e pagës minimale

baPartia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me pagën minimale në Kosovë.


PSD-ja së fundi ka marrë një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online për nevojën e rritjes së pagës minimale për sektorin privat.

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi tha se edhe pse PSD-ja ka marrë disa herë iniciativa për të rritur pagën minimale në sektorin privat, peticioni online do të jetë i nevojshëm dhe do të arrij efektin e vet për të ndikuar në qeverinë Haradinaj.

“Pas disa iniciativave në Kuvend dhe jashtë saj, PSD-ja ka filluar peticionin online të rritet presioni ndaj qeverisë Haradinajpër pagën minimale, deri tani brenda 24 orëve janë mbledhur mbi 2 mijë nënshkrime deri tani dhe gjatë tërë kohës qytetarët po nënshkruajnë edhe më shumë”, tha Krasniqi.

“Përmes peticionit duam ta zhvendosim nga Kuvendi tek angazhimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe secili nga ne ka mundësi me ndikuar që paga minimale të rritet”, shtoi ai.

Krasniqi tha se secili qytetar ka mundësi ta nënshkruaj këtë peticion që merr kohë afro 2 minuta.

“Përmes peticionit shpresojmë që secili qytetarë ka mundësi me dhënë kontribut me rrit pagën minimale së paku 250 euro”, tha ai.

Krasniqi tha se peticioni online është më i lehtë dhe mund të qaset secili qytetar më lehtë pasi që tani secili prej nesh është i lidhur me teknologjinë.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha se rritja e pagës minimale në sektorin privat është e domosdoshme sepse qytetarët duhet të jetojnë dinjitetshëm dhe jo vetëm për mbijetesë.

“PSD-ja e sheh të rëndësishme pagën minimale në sektorin privat dhe kemi kërkuar në sektorin privat me u ngrit 250 euro paga që me u parandalua keqtrajtimet e punëtorëve“, tha ajo.

“Paga minimale nuk është përditësuar që 8 vite dhe shporta e prodhimeve bazike të jetë me e zbrazët se më para”, shtoi Kuçi.

Ajo tha se me këtë pagë minimale nuk mund të kesh një jetë të mirë, por vetëm sa për mbijetesë, raporton EO.

“Me pagën e tanishme nuk mund ta ushqehesh mirë dhe në veshmbathje mendojmë se paga minimale duhet të kaloj në pagën për të jetuar, nuk themi se kjo do jetë zgjidhje e përhershme, por do jetë një hap i mirë për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha ajo.

Kuçi shpreson se me këtë iniciativë do të mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në qeverinë Haradinaj që kjo e fundit të reflektoj karshi rritjes së pagës minimale.