×
  • Lajme
  • Lajme

    Për vrasjen e Ivanoviq, po hetohet edhe një njeri i fuqishëm

    Reporteri
    19 Prill 2019 | 17:10

    Hetimet për vrasjen Oliver Ivanoviqit javën e kaluar janë zgjeruar edhe tek dy individë tjerë. Gazeta serbe që merret me hulumtime Krik.rs shkruan se bëhet fjalë për Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Mihajloviqin, të cilët sipas gazetës janë të akuzuar për katër vepra penale, transmeton Reporteri.net.


    Kjo gazetë rikujton se më datën 12 prill, Prokuroria e Kosovës lëshoi ​​një vendim për nisjen e hetimeve ndaj dy personave, të dyshuar për pjesëmarrje në organizimin e një grupi kriminal, duke rrezikuar stafin e OKB-së dhe stafin mbështetës, si dhe për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm dhe për vrasje.

    Kujtojmë se Oliver Ivanoviq u vra janarin e kaluar në ambientet e partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Në nëntor, Nedeljko Spasojeviq, Dragisha Markoviq dhe Marko Roshiq u arrestuan, ndërsa Milan Radoiçiq, përndryshe kumbari i Zvonko Veselinoviqit u identifikua ai i dyshuari i katërt.

    Për Nedeljko Spasojeviq, hetues policor në Kosovën e veriut, Prokuroria dyshon se ai e ka ndihmuar kryerësin e veprës duke ia mundësuar që ai të ikë nga vendi i ngjarjes, për çka u shfrytëzua automjeti zyrtar i policisë.

    Marko Rosiq është nën hetim për shkak të një letre të gjetur në xhepin e viktimës Oliver Ivanoviqit në të cilën ishte i shkruar numri i regjistrimit të automjetit në pronësi të familjes Rosiq. Ndërkohë që për Dragisha Markoviqin, po ashtu polic nga veriu i Kosovës,  besohet nga vendi i ngjarjes ka dërguar informacione tek një oficer policie në Serbi. Spasojeviq dhe Rosiq aktualisht janë duke u mbajtur në paraburgim.

     

    Ndryshe, Zvonko Veselinoviq është njeriu kryesor i Aleksandar Vuçiqit, përmes të cilit kontrollohet veriu i Kosovës. Tani në terren ai e ka deleguar Milan Radojiçiqin, mirëpo sërish është njeriu që dirigjon gjithçka në veri. Vlen të theksohet se kishte qenë ai që kishte vendosur barrikadën mbi lumen Ibër, dhe me urdhër të po të njëjtit ishte liruar./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!