×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Konfirmohet koalicioni

    Përparim Rama procedon me koalicionin me PDK: Besianë Musmurati emërohet nënkryetare e Prishtinës

    Reporteri
    05 Maj 2026 | 11:32

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka demantuar Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila tha se nuk ka koalicion LDK-PDK në Prishtinë. 

    Rama ka njoftuar se e ka emëruar Besiana Musmuratin e PDK-së si nënkryetare të Komunës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net

    “Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës.
    Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike. Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.”, ka shkruar Rama.

    Rama e ka lavdëruar Musmuratin për bashkëpunimin në të kaluarën.

    “Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.”, ka shkruar ai.

    Mëngjesin e së martës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mohuar se ka koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

    Përmes një komunikate, nga kjo parti thanë se LDK-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani.

    “LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse. Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, u tha në komunikatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!