Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në një organizim të KOSTT-it, ku krahas çështjeve që lidhen me tregtimin e energjisë elektrike, ka folur edhe për të ardhmen energjetike të vendit dhe tranzicionin që pritet të kalojë Kosova.
Në fjalimin e tij, Kurti ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke përmendur investimet në energjinë solare, atë me erë, sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë, si dhe modernizimin e kapaciteteve ekzistuese prodhuese.
Megjithatë, në këtë prezantim për të ardhmen energjetike të Kosovës, kryeministri nuk ka përmendur gazsjellësin amerikan dhe përdorimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), një temë që është diskutuar gjerësisht javëve të fundit.
“Kosova po hyn tani në një fazë të re të tranzicionit energjetik. Integrimi i burimeve të ripërtëritshme, ndërtimi i kapaciteteve të reja solare dhe të erës, instalimi i sistemeve të baterive për akumulimin e energjisë, si dhe modernizimi e rindërtimi i kapaciteteve ekzistuese e gjeneruese që sigurojnë furnizimin bazë, do ta transformojnë mënyrën se si prodhojmë, transmetojmë e konsumojmë energji”, ka deklaruar Kurti.
Deklarata e Kurtit është bërë në të njëjtën ditë kur e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Annu Prattipati, ka përsëritur thirrjen që Kosova të diversifikojë burimet e saj energjetike përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Prattipati ka përshëndetur vendimin e Kosovës për heqjen e tarifave doganore ndaj mallrave amerikane dhe ka kërkuar që vendi të zgjerojë furnizimin me energji përmes LNG-së amerikane, me qëllim krijimin e mundësive për investime të ardhshme amerikane.