×
  • Lajme
  • Lajme

    Presion i madh mbi PZAP, sot mund të vendoset për fatin e Listes Serbe

    Reporteri
    25 Prill 2019 | 12:47

    Për Listen Serbe, sot mund të jetë dita vendimtare lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e katër komunave veriore.


    Reporteri.net ka mësuar se PZAP mund të mblidhet sot për të vendosur lidhur me ankesën e kësaj partie për moscertifikim nga KQZ-ja për zgjedhjet e 19 majit.

    Gazeta është munduar të konfirmojë takimin e sotëm të PZAP, mirëpo Kryesuesi i Sekretariatit të këtij institucioni, Mulë Desku, nuk ka dhënë përgjigje konkrete por ka folur për afate.

    “Ju informoj se PZAP prej momenti (dje ne ora16:00) te dorezimit te apelit nga subjekti politik LS. Ka afat 72 ore per me vendos lidhur me apelin. PZAP eshte ne procedure te shqyrtimit dhe do te merre vendim brenda afatit ligjor”, ka thënë Desku për Reporteri.net.

    Sidoqoftë, është mësuar se ndaj PZAP por edhe institucioneve politike të Kosovës ka nisur një presion për shkak të mundësisë për t’i lënë jashtë kandidatët e Listes Serbe, të cilët edhe ishin dorëhequr muaj më parë.

    E presion i ngjashëm, madje edhe publik, u bë dje ndaj KQZ-së pas marrjes së vendimit për moscertifikim. Kishte qenë së pari drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili e quajti vendimin si shkelje e të drejtave të komunitetit serb.

    Ndërkohë, nuk kishte vonuar edhe reagimi i të parit të Serbisë. Ai nga Kina kritikoi ashpër KQZ-në, me theks të veçantë Vetëvendosjen, pas vendimit për moscertifikim të Listës Serbe. Madje, për këtë, ai premtoi se do të flas edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

    Një i dërguar i kancelares gjermane, ku edhe donte të ankohej Vucic, ka reaguar dje pas vendimit, duke pyetur se “ku është mençuria politike e këtij vendimi”.

    “Duke mos qenë në gjendje të komentojë aspektin ligjor të kësaj çështje momentalisht, pyes veten se cila është mençuria politike në ndërmarrjen e një hapi të tillë”, ka thënë dje ambasadori Christian Heldt.

    Ndryshe, Lista Serbe nuk u certifikua nga KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 19 majit në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, pasi dy anëtarë të Lëvizjen Vetëvendosje votuan kundër, duke dhënë si arsyetim mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Si argument, ata kanë përdorur letrat e dorëheqjeve ku ish-kryetarët i referohen Kosovës si “Kosova i Metohija”./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!