Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së 5 tetorit, pranë objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, hetuesit e IPK-së do të grumbullojnë informacione dhe prova për të vlerësuar nëse ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me IPK-në, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të ndriçuar rastet ku dyshohet se është përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve të përcaktuara me ligj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestës”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria Themelore në Prishtinë autorizon Inspektoratin Policor të Kosovës lidhur me veprimet policore të ndërmarra në protestat e datës 05.10.2026

Prishtinë 06.10.2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka autorizuar hetuesit e IPK-së të ndërmarrin veprime paraprake për trajtimin e secilit rast që lidhet me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur më 05.10.2026 në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Qëllimi i autorizimit është grumbullumi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve.

Reklamë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarr të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave.