Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka mirëpritur aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara sot ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit në rastin për pengim të drejtësisë, duke paralajmëruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë hetimin dhe ndjekjen penale të veprave që cenojnë administrimin e drejtësisë.
Në reagimin e ZPS-së thuhet se gjykata i shpalli Thaçin, Smakajn dhe Fazliun fajtorë për vepra penale që përfshijnë tentativën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindjen ndaj gjykatës, përmes përpjekjeve të paligjshme për të ndikuar te dëshmitarët e mbrojtur.
Sipas ZPS-së, gjykata ka theksuar veçanërisht rolin udhëheqës të Thaçit në koordinimin e përpjekjeve për pengim të drejtësisë, ndërsa atë e ka shpallur fajtor edhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi është dënuar për një akuzë të mosbindjes ndaj gjykatës, kurse Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.
Duke komentuar aktgjykimin, West tha se vendimi dërgon një mesazh të qartë se askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për përpjekjet për të ndërhyrë në drejtësi, pavarësisht pozitës apo statusit të tij.
“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme, të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë te dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, thuhet në deklaratën e saj.