Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se të mërkurën ka intervistuar në cilësinë e të dyshuarit Kryetarin e komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se i njëjti është intervistuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.
“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”, tha Luta për Reporteri.net.
Ndërkohë, Halil Thaçi me të dalë nga intervistimi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës deklaroi para gazetarëve se ai ishte intervistuar si dëshmitar lidhur me disa shpronësime në fshatin Shipitullë.
“Unë jam shumë i kënaqur që Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje (pa e përmendur specifikisht) dhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta hetojë deri në fund këtë çështje, këtë thirrje e kam bërë edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë. Nga Kuvendi sa kam qenë deputet edhe sot në cilësinë e Kryetarit i bëj thirrje qytetarëve të mi që do të më kenë gardian për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Si dëshmitarë natyrisht që më pyetën për çdo gjë dhe unë për çkado që unë do të di do t’i përgjigjen Prokurorit”, tha Thaçi para gazetarëve.
/Reporteri.net/
Halil Thaçi konfirmon se u intervistua nga Prokuroria Speciale