×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria ua mbyll llogaritë bankare pronarëve të kazinove e bastoreve

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 16:31

    Pasi u mbyllën rrufeshëm lojërat e fatit, tash prokuroria ua ka ngrirë xhirollogaritë pronarëve të këtyre bizneseve, duke i rrezikuar edhe shumë biznese të tjera të lidhura me këta pronarë, por që funksionojnë ndaras. Ngrirja e llogarive po rrezikon shumë vende të punës.


    Prokuroria ua ka ngrirë llogaritë bankare për tri ditë (72 orë) pronarëve të bizneseve të lojërave të fatit. Këtë informacion e ka konfirmuar kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu. Ai tha se askush nuk ka dhënë asnjë sqarim për ngrirjen e parave në banka.

    Përveç llogarive biznesore atyre ua kanë mbyllur edhe llogaritë rrjedhëse private. Pronari i 21 lokaleve të lojërave të fatit, në tërë Kosovën, tregon se si e kuptoi se llogaria i ishte mbyllur.

    Avokati Granit Vokshi ka konfirmuar se një klientit të tij prokuroria ia ka mbyllur llogarinë pa asnjë paralajmërim.

    “Sa e dimë ne ato janë mbyllur me urdhër të prokurorit janë ngri për 72 orë, nuk e dimë arsyen pse është bërë një veprim i tillë”, tha Vokshi për Express.

    Vokshi tha se po presin që të tërhiqet ky urdhër ose mund të ndodhë që prokuroria të bëjë kërkesë në gjykatë që llogaritë bankare të ngrihen për një periudhë të caktuar kohore.

    “Ne tash presim që ose të tërhiqet urdhri i prokurorit, ose ndodh që bëjnë kërkesë në gjykatë për masë të përkohshme për ngrirjen e llogarive në një periudhë bankare”, tha më tej Vokshi.

    “Klienti nuk është në dijeni se cila është arsyeja e mbylljes së këtyre llogarive”, përfundoi Vokshi.

    Se llogarinë bankare ia kanë ngrirë e kishte kuptuar dje pronari i një kazinoje (emër i njohur për redaksië), kur nuk kishe mundur të depononte para në bankë.

    “Xhirollogarinë edhe biznesin ma kanë mbyllë. Nuk e di arsyen as të mbylljes së biznesit as të xhirollogarisë në bankë nuk po kanë qasje në xhirollogari. Dje isha me deponu dhe ata më informuan që me ish blloku llogaria e nuk po kanë qasje”, tha pronari i një kazinosë për Express.

    Pronari i 21 lokaleve të lojërave të fatit tha se ka shkruar disa letra te institucionet përgjegjëse, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    “Ju kem drejtu me shkresa krejt institucioneve përgjegjëse por nuk kam marrë asnjë përgjigje”, tha ai.

    Kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, tha se përveç llogarive të bizneseve ua kanë mbyllur edhe llogaritë private.

    “Po i kanë mbyll llogaritë bankare të bizneseve edhe private, dje i kanë mbyllë”, tha Veliu.
    “Fillimisht janë mbyllur për 72 orë, me siguri e vazhdojnë 30 ditë”, përfundoi ai.

    Për këtë çështje nuk ka folur as prokuroria e as ATK. Ata kanë kërkuar t’u dërgohen pyetje me shkrim në të cilat nuk janë përgjigjur.

    Për më pak se një javë, lokalet e lojërave të fatit u bënë vend i vdekjes për dy të rinj nga Kosova. Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda një kazinoje në Lipjan.

    Kjo bëri që në opinion të krijohet një frikë dhe të kërkohet mbyllja e lokaleve të lojërave të fatit. Në vijim, deputetët e Kosovës votuan projektligjin që ndalon të gjitha lojërat e fatit në territorin e Kosovës. Ndërsa ATK mbylli qindra biznese të tilla në tërë vendin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!