Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Heshtja”, që u zhvillua kundër një grupi të dyshuar për trafikim të kokainës në rajonin e Prishtinës.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar avokati Korab Bokshi, për Gazetën Online Reporteri.net, duke thënë se Haraqija është intervistuar nga Policia dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Bokshi ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë kundër vendimit për ndalim të Haraqisë.

Reklamë

“Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë. E kanë intervistuar, për efekt të hetimit nuk do të hyja në detaje, por e kanë ndërlidhur me disa vepra kinse ka të bëjë me kontrabandim të narkotikëve. E kanë pyetur për disa persona, kinse ky si figurë publike i njeh, disa nuk i njeh.” – ka deklaruar Bokshi për Reporteri.net.

Avokati ka bërë të ditur se Policia ka bastisur edhe banesën e Haraqisë, por sipas tij, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë që do ta inkriminonte atë për veprën penale për të cilën dyshohet.

“E kanë bastisur banesën e tij, kanë bërë kontrolle, por nuk kanë gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër penale. I kanë caktuar masën e ndalimit për 48 orë, unë kam bërë ankesë te gjyqtari, tash po presim”, ka pohuar ai.

Bokshi ka mohuar se klienti i tij ka lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet nga Prokuroria.

“Sipas komunikimeve të drejtpërdrejta me Astritin, nuk ka lidhje me veprën penale për çka pretendon prokurori.” – ka deklaruar ai.

Reklamë

Operacioni “Heshtja” u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një hetimi të gjatë.

Policia e Kosovës njoftoi se gjatë këtij operacioni janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt. /Reporteri.net/.