×
  • Lajme
  • Lajme

    Pushtetarët punësime familjare edhe në KEK

    Reporteri
    03 Prill 2019 | 19:22

    Pushtetarët përdorin Ligjin për Obiliqin, që të punësojnë familjarë në KEK
    Ka një vit e ca muaj që ka marrë mandatin e këshilltarit komunal në Obiliq, por Enver Gashi, tash ka edhe një punë tjetër të shtetit.


    Gashi, që është vëllai i kreut të Obiliqit, Xhafer Gashi, ka nisur punën në një nga ndërmarrjet më profitabile në vend, Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Bazuar në të dhënat e marra nga KEK-u, Gashi është punësuar me datë 01.05.2018, në pozitën Inxhinier përgjegjës për Energjetikë në Termocentralin “Kosova B” dhe, sipas menaxhmentit, ai është punësuar përmes konkursit të rregullt, konform kritereve dhe duke respektuar edhe Ligjin për Obiliqin.

    Neni 8 i këtij ligji specifikon se banorët e Obiliqit kanë përparësi punësimi në kushte të barabarta ndaj konkurrentëve të tjerë në punësim.

    Gashi ka thënë se pozitën e ka fituar me meritë, pasi është inxhinier i diplomuar dhe nuk ka të bëjë kjo me të qenët këshilltar komunal i AAK-së, raporton KTV.

    Ai ka treguar se më herët ka punuar në KEK, por ishte larguar nga aty vite më parë.

    Por, edhe një tjetër familjar i një politikani nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka shfrytëzuar pikërisht këtë nen për ta punësuar të birin në KEK.

    Nebil Mjeku është i biri i Hysni Mjekut, që është kryetar i degës së PDK-së në Obiliq. E, edhe ai gjeti punë në KEK.

    Mjeku kishte punuar më parë si Inspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

    Në tetorin e 2018-s, në krye të menaxhmentit të KEK-ut erdhi Njazi Thaçi, një kushëri i presidentit Thaçi.

    Vetëm pak ditë më vonë. ekipit të tij në korporatë iu bashkua edhe djali i axhës së tij, Ekremi.

    Bazuar në dhënat e korporatës, Ekrem Thaçi është punësuar aty si shofer personal i drejtorit menaxhues.

    Vetë Thaçi ka thënë se u punësua në pozitën e shoferit të drejtorit menaxhues, pasi iu nënshtrua të gjitha procedurave të punësimeve dhe është aty për shkak të aspektit të besueshmërisë dhe sigurisë e jo lidhjeve familjare.

    “Unë nuk kam qenë i papunë. Në 6 vjetët e fundit kam punuar në një kompani private. Kam të përfunduar Fakultetin e Shkencave Sportive dhe jam në përfundim të Masterit. Po ashtu, jam trajner i licencuar i futbollit dhe kam qenë i angazhuar në një klub të futbollit. Besoj e kuptoni qe pozita në të cilën tani jam i angazhuar, nuk është ndonjë privilegj, që më është ofruar për shkak të lidhjeve familjare, por është për shkak të pozitës se ndjeshme edhe në aspektin e sigurisë edhe besueshmërisë. Kjo ka qenë arsyeja shtesë që kam aplikuar dhe arsyeja pse jam përzgjedhur”, thuhet në përgjigjen e Thaçit.

    Vetë korporata thotë se në mesin e 5 mijë punëtorëve të saj mund të ketë edhe familjarë të politikanëve e të menaxherëve të KEK-ut, por që, sipas tyre, ata janë punësuar duke respektuar në përpikëri ligjet dhe konform procedurave dhe kritereve të konkursit.

    “Konsiderojmë që jemi shembulli më i mirë në Kosovë, sepse nuk kemi pasur asnjë shkelje ose vërejte deri tani, nuk kemi asnjë rast të vetëm të punësuar në kontratë mbi vepër dhe, mbi të gjitha, pavarësisht se jemi gjiganti më i madh në vend dhe punojmë në industrinë më të rëndë në treg, nuk kemi lejuar që në asnjë njësi të kemi mbipunësime,” thuhet në përgjigjen që KEK-u ia ka dërguar KTV-së.

    Korporata Energjetike e Kosovës, megjithatë, thotë se do të vazhdojë rekrutimin e kuadrove të reja në punë, për shkak se rreth 200 deri në 300 të punësuar në vit shkojnë në pension dhe mosha mesatare e të punësuarve në KEK është rreth 55 vjet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!