Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2027, në mbledhjen e nëntë të saj.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ka thënë se ai mbështetet në rritjen ekonomike, zgjerimin e tregut të punës dhe qëndrueshmërinë e financave publike.

Murati ka bërë të ditur se bruto produkti vendor i Kosovës në vitin 2027 pritet të arrijë në 30.4 miliardë euro, ndërsa të hyrat buxhetore për herë të parë do të tejkalojnë shifrën prej katër miliardë eurosh.

Reklamë

Sipas tij, borxhi publik pritet të mbetet në nivelin rreth 16 për qind të bruto produktit vendor, që ai e ka cilësuar si një ndër nivelet më të ulëta në rajon.

“Një buxhet pra që po e sjell para jush me optimizëm, por me besim, sepse ai mbështetet mbi një ekonomi që rritet, mbi një treg pune që po zgjerohet dhe mbi financa publike të shëndosha. Kosova sot ka një ekonomi me rritje të qëndrueshme. Në vitin 2027 bruto produkti vendor pritet të arrijë në 30.4 miliardë euro. Të hyrat buxhetore për herë të parë do të kalojnë 4 miliardë euro, ndërkaq borxhi publik mbetet tek rreth 16% e bruto produktit vendor”, ka deklaruar Murati.

Ministri ka bërë të ditur se përgatitja e projektbuxhetit ka nisur në muajin maj, ndërsa gjatë këtij procesi Ministria e Financave ka zhvilluar konsultime me organizatat buxhetore për përfshirjen e prioriteteve dhe nevojave të institucioneve publike.

Ai ka vlerësuar se zhvillimet ekonomike në Kosovë kanë qenë pozitive, pavarësisht pasigurisë gjeopolitike, tensioneve tregtare dhe çmimeve të larta të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Murati, ekonomia e Kosovës në gjysmën e parë të vitit 2026 ka shënuar rritje reale prej 5.44 për qind. Kjo rritje, sipas tij, është nxitur nga konsumi, investimet dhe eksportet.

Reklamë

Investimet totale, private dhe publike, janë rritur për 7.9 për qind, ndërsa eksporti i mallrave në periudhën janar-korrik ka shënuar rritje prej 22.9 për qind. Eksporti i shërbimeve është rritur për 10.9 për qind.

Mbi 445 mijë të punësuar në gjysmën e parë të vitit

Duke folur për tregun e punës, Murati ka bërë të ditur se sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, në gjysmën e parë të vitit 2026 janë regjistruar 445 mijë e 542 persona të punësuar.

Kjo paraqet rritje prej 5.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Reklamë

Ai ka theksuar se shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është rritur në 50 për qind në vitin 2025, nga 43.3 për qind sa ishte një vit më parë.

Ndërkohë, të hyrat nga tatimi në të ardhurat personale janë rritur për 19.5 për qind në nëntë muajt e parë të këtij viti. Sipas ministrit, kjo rritje lidhet me shtimin e të punësuarve, rritjen e pagave në sektorin privat dhe publik, si dhe rritjen e pagës minimale.

Inflacioni pritet të bie në 4 për qind gjatë vitit 2027

Murati ka thënë se sfida kryesore vazhdon të mbetet niveli i çmimeve, i ndikuar nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimit.

Reklamë

Ai ka bërë të ditur se inflacioni mesatar deri në shtator të vitit 2026 ka arritur në 6.6 për qind.

Megjithatë, sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave, inflacioni gjatë vitit 2027 pritet të bie në 4 për qind, ndërsa në periudhën afatmesme të stabilizohet në nivelin prej 2 për qind.

Ndërkaq, të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti kanë shënuar rritje prej 6.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Parashikohet rritje ekonomike prej 4.2 për qind në vitin 2027

Reklamë

Sa u përket parashikimeve për vitet e ardhshme, ministri ka thënë se ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rritje reale prej 4.2 për qind gjatë vitit 2027.

Për vitin 2028 parashikohet rritje prej 4.5 për qind, ndërsa për vitin 2029 prej 4.6 për qind.

Sipas Muratit, rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi privat, kreditimi, remitencat dhe investimet, si dhe nga politikat fiskale në mbështetje të sektorit privat dhe investimet publike.

Ai ka theksuar se zgjerimi i aktivitetit ekonomik pritet të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës, formalizimin e punësimit dhe rritjen e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.

Projektbuxheti për vitin 2027 tashmë është miratuar nga Qeveria dhe pritet të vazhdojë procedurat e mëtejshme për shqyrtim dhe miratim.