Një shpërthim masiv ka ndodhur paraditen e sotme në rafinerinë e naftës në Agioi Theodoroi. Për pasojë, ka vdekur 43-vjeçari shqiptar ndërsa një tjetër i moshës 50 vjeç, është në gjendje të rëndë në spital.

Fillimisht, dy të plagosurit rëndë u dërguan në Spitalin e Korinthit, ku mbërriti edhe një person i tretë i plagosur, me probleme shumë të lehta respiratore.

Dy shqiptarët po punonin për një kontraktor dhe po kryenin punime si pjesë e operacioneve të përgjithshme të mirëmbajtjes së rafinerisë. Shpërthimi besohet të jetë shkaktuar nga prania e gazrave. Pas incidentit, punëtorët e mbetur u evakuuan nga objektet.

Reklamë

Vetë rafineria e naftës “Motor Oil” ka reaguar zyrtarisht duke thënë: “Njoftim emergjent në lidhje me incidentin që ndodhi sot në ambientet e Motor Oil në Agioi Theodoroit.

Me hidhërim të thellë u njoftuam se njëri nga dy punonjësit e kompanisë bashkëpunuese kontraktuese që u plagosën rëndë në aksidentin e sotëm, vdiq pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve. Gjendja shëndetësore e punëtorit të dytë mbetet kritike.

Menaxhmenti dhe të gjithë punonjësit e kompanisë shprehin ngushëllimet tona të sinqerta dhe angazhimin tonë për të qëndruar pranë familjes së viktimës. Autoritetet kompetente po hetojnë shkaqet e aksidentit dhe kompania po bashkëpunon plotësisht me ta”.

Policia ka shoqëruar në komisariat kontraktorin e rafinerisë ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.