Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit se ka kërkuar përjashtimin e tij nga lista e folësve në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, i organizuar nga European Investors Council (EIC).

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se, pavarësisht se Prishtina është qyteti nikoqir i “Lojërave Mesdhetare 2030”, ai nuk është përfshirë në mesin e folësve në forum, sipas tij, me kërkesë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Sportit.

“Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik”, ka shkruar Rama.

Reklamë

“Lojërat Mesdhetare nuk janë instrument partiak i Vetëvendosjes. Prishtina 2030 nuk është pronë politike e askujt”, ka deklaruar Rama.

Postimi i tij i plotë:

PËRJASHTIMI SI MODEL QEVERISËS I ALBIN KURTIT!

Prishtina është qyteti nikoqir i “Lojërave Mesdhetare 2030”. Megjithatë, në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, të organizuar pikërisht për rrugën drejt vitit 2030, nga European Investors Council (EIC), unë si Kryetar i Prishtinës përjashtohem nga fjala, sipas organizatorëve, me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit.

Kjo nuk është gafë protokollare. Është vendim politik dhe është presion ndaj organizatorëve!

Reklamë

Ironikisht ky forum është i organizuar për koordinim, partneritet dhe investime.

Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik.

Të organizosh forum për Prishtina 2030 dhe të kërkosh përjashtimin e Kryetarit të Prishtinës nga fjala është institucionalisht absurd dhe politikisht simptomatik.

Albin Kurti mund ta kontrollojë listën e folësve, por Prishtina 2030, fatmirësisht, është shumë më e madhe se lista e tij, komplekset e tij dhe deficitet e tij personale.

Reklamë