Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas dorëheqjes së ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe korrektësinë që siç thotë ai kanë pasur, shkruan Reporteri.net.
Ai thotë se largimi i Aliut s’është humbje vetëm për institucionet, por për të gjithë ata që besojnë tek “idealet e larta të shërbimit publik”.
“Dua ti shpreh mirënjohjen time më të thellë Liburn Aliut, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe korrektësinë që tregoi gjatë gjithë kohës sa ishte Ministër i Infrastrukturës në raport me mua si Kryetar i Kryeqytetit. Largimi i tij nuk është vetëm një humbje për institucionet, por për të gjithë ne që besojmë tek puna dhe idealet e larta të shërbimit publik”, ka shkruar Rama në Facebok.
“I uroj suksese në çdo hap të ri dhe e falënderoj nga zemra për kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e Kryeqytetit dhe në forcimin e unitetit tonë qytetar dhe kombëtar”, shkruan tutje ai.
Liburn Aliu dha sot dorëheqje nga posti i Ministrit për shkak të zgjedhjes së Dimal Bashës Kryeparlamentar.
“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua.”, ka shkruar Aliu.
/Reporteri.net/