Rasti ndaj të akuzuarit që kërcënoi Haradinajn do të kalojë në Departamentin Special

Rasti ndaj Bledar Elshanit, i akuzuar se ka kërcënuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, do të kalojë në Departamentin Special i cili pritet të themelohet në kuadër të Gjyaktës Themelore në Prishtinë.


Ky lajm u bë i ditur nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, në seancën e së enjtes, ku pritej të mbahej shqyrtimi fillestar për këtë rast.

“Ka kohë që ka hy në fuqi Ligji për Gjykatat që parasheh themelimin e Departamentit Special për gjykimin e aktakuzave të PSRK-së. Çdo lëndë penale për të cilën nuk është mbajtur shqyrtimi fillestar, do t’i kaloj Departamentit Special” deklaroi Ibrahimi.

Gjykatësi Ibrahimi tha se caktimin e seancës në fjalë e ka bërë për të shkak të natyrës urgjente, e që ka të bëjë me vendosjen e masës së sigurisë për paraburgim.

Seanca

Në seancën e së enjtes, prezent në gjykatë janë edhe prokurori Afrim Shefkiu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Elshani, avokati Isak Hoxha, shkruan “Betimi për drejtesi”

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Bledar Elshani, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit në botë në krijimin e shtetit Islamik.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Bledar Elshani, më 23 gusht 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10 janar 2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me mbishkrim “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.

Me këto veprime, sipas prokurorisë,  i pandehuri Bledar Elshani, ka kryer veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së.