×
  • Lajme
  • Lajme

    Reja me dy nipa iu kthye nga Siria, ferizajasi nuk do të flas

    Reporteri
    21 Prill 2019 | 13:32

    Faik Uksmajli kishte qenë dje para Qendrës për Mbajtjen e të Huajve, vend ku po qëndrojnë 106 gra dhe fëmijë të kthyer para dy netësh nga Siria.


    Ai po kërkonte gruan e djalit dhe dy nipërit e tij që, sipas raportimeve, ishin brenda kësaj qendre, shkruan Reporteri.net.

    Por, ai nuk kishte arritur të takohej me ta meqë Policia e Kosovës është në përkujdesje të rreptë të tyre.

    Sidoqoftë, Faik Uksmajli nuk ka pranuar të flas për këtë gjë as kur në oborrin e shtëpisë ishte ekipi i Reporteri.net. Ai u lut të “lihej i qetë”.

    “Shoq, a ban me të kallxu diçka drejt. A ban me më lanë rehat mos m’u përzi në këtë punë hiç? Kam problem të mia…”, ka thënë dje ai.

    Ndërkohë, ka vazhduar me një kërkesë ndaj gazetarit, duke i kërkuar që të intervistojë tre persona që janë me pozita të rëndësishme.

    “Shkoni te Hashim Thaçi,  Naim Tërnava, shkoni te Ramush Haradinaj. Shkoni te ai tjetri, merrni në intervistë ata… Pse po vini këtu?”, ka shtuar ai.

    Reporteri.net nuk ka arritur të marrë më shumë fjalë të Faikut, mirëpo ka mësuar se gruaja e djalit të tij quhet Laura, ndërkaq dy nipërit quhen Omer dhe Andi.

    Vlen të theksohet se Faiku kishte shkuar vite më parë edhe personalisht në Siri për, sic thoshte ai, t’i gjente djemtë e tij dhe t’i kthente në Kosovë. Ai hidhte akuza në drejtim të shtetit pasi, sipas tij, nuk i ishin konfiskuar pasaportat djemve të tij.

    Ndryshe, Faiku ka marrë informacione nga institucionet dhe mediat se dy djemtë e tij, Arbnori dhe Alberti, janë vrarë kohë më parë në Siri./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!